Maqedoni
Ndryshime në Gjykatën Penale, “të padëgjueshmit” zhvendosen tek kundërvajtjet
21.02.2017 16:16
Dhjetëra gjykatës, në mesin e të cilëve edhe ata me përvojë pune të gjatë në Gjykatën Penale, për arsye ende të panjohura janë zhvendosur në Gjykatën për Kundërvajtje...

Ndarja e re vjetore e lëndëve është bërë nga u. d. kryetare e gjykatës, Tatjana Mihajllova, por dokumentin përfundimtar e kanë marrë vetëm disa prej gjykatësve.
Të tjerët presin orarin zyrtar. Me ndarjen e re janë përfshirë kryesisht gjykatës që deri tani janë marrë me procedurat e hapura nga Prokuroria Speciale e që kanë dhënë urdhrat për bastisje në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, në caktimin e paraburgimit për kryetarin e Manastirit, për bllokimin e llogarisë së ndërmarrjes “Finzi” dhe raste të tjera që janë hapur me kërkesë të PPS-së.
Janë rizhvendosur edhe 13 gjykatësit të cilët kanë nënshkruar peticion kundër Vlladimir Pançevskit dhe të cilët kanë qenë të ftuar që të japin deklaratë në Këshillin Gjyqësor.
Ish-kryetari dhe kandidati për kryetar të ri, Vlladimir Pançevski, është vendosur si gjykatës në Departamentin për Krim të Organizuar, ku shkojnë lëndët e PPS-së. Edhe gjykatësja, Lidija Petrovska, zëri i së cilës dëgjohet në të ashtuquajturat “bomba” të LSDM-së, është zhvendosur në Departamentin për Krim të Organizuar.
Edhe gjykatës të tjerë janë sjellë nga Gjykata për Kundërvajtje në Gjykatën Penale dhe janë pikërisht këta që tani do të merren me lëndët e PPS-së. Dyshohet se ndryshimet janë bërë me qëllim që lëndët e PPS-së të mos bien në duart e gjykatësve paraprakë, por me to të merren gjykatësit e sapocaktuar.
REJHANE BUSHI-METAJ
