Maqedoni
ITShKSh: Gjatë 2016-s u zbardhën figura dhe ngjarje historike
21.02.2017 16:46
Një dekadë nga themelimi, mision i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve....

Një dekadë nga themelimi, mision i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve mbetet zbardhja e ngjarjeve dhe personaliteteve historike shqiptare si dhe afrimi ndëretnik dhe ndërfetar në vend. Vlerësimi i tillë u dha në shënimin e aktiviteteve të realizuara gjatë 2016-ës.
“Instituti edhe më tutje do të jetë një urë lidhëse për marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare këtu në Maqedoni, sepse diversiteti është pasuria e këtij vendi dhe me këtë diversitet që ne po mundohemi ta tregojmë dhe ta implementojmë po reflekton gjithandej”,- deklaroi drejtori i ITShKSh-së, Skender Hasani.
Akademik Luan Starova tha se instituti është në rrugën e drejtë me dëshmitë që ofron për të dëshmuar se shqiptarët janë popull autokton, nëpërmjet botimeve, konferencave shkencore, por edhe revistave.
“Studimet albanologjike në Maqedoni dhe në përgjithësi studimet mbi shqiptarët kanë qenë të cunguara deri në paraqitjen e institutit për shkak se në më shumë institute shqiptarët janë trajtuar si pakicë”,- deklaroi Akademik Luan Starova.
Instituti ka shtrirë bashkëpunimin edhe jashtë kufijve me Institutin për Studime Shqiptare dhe Protestante në Tiranë. Midis tjerash, përmenden Konferenca për kontributin e Gjergj Qiriazit në Kongresin e Manastirit, 125 vjetori nga themelimi i shkollës së vashave në Korçë e të tjera.
“Ne kemi pasur nevojë për përkrahje, për një institut si ky institut që mund të na lidhte në mënyrë më profesionale dhe më zyrtare me profesorë dhe me institucione të tjera. Dhe për këtë jemi mirënjohës, sepse kemi një kontribut për të dhënë, që është serioz, është një fushë e vogël, një fushë e veçantë, por ka vlerë të madhe”,- theksoi drejtori i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, David Hosalflook.
Nga Komuna e Çairit thonë se do të përkrahin institutin edhe në të ardhmen, me qëllim që hulumtimi shkencor të ndriçojë pjesë të historisë që i kishte mbuluar harresa.
“Këtij instituti i nevojiten më tepër kushte që do ta shpijnë përpara këtë segment. Siç e dini, në rrjedhë e sipër është edhe plani për ndërtimin e objektit të institutit ku do të jenë të gjitha parakushtet për një veprimtari të mirëfilltë shkencore”,- theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Instituti gjatë 2016-ës realizoi aktivitete të ndryshme si nga sfera e botimeve, konferenca të ndryshme shkencore në dobi të shkencës dhe kulturës shqiptare.
MERAL ISMAILI
