Botë

Fleckenstein: Deputetët e kanë vendin në parlament; Basha: Nuk ka kthim prapa, qeveri teknike

21.02.2017 17:02

Në ditën e parë të vizitës së tij në Tiranë, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein...

Në ditën e parë të vizitës së tij në Tiranë, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, ka thënë se me kryetarin e Partisë Demokratike nuk do të negociojë për protestën. Pas takimit me ambasadorin amerikan Donald Lu, Fleckenstein ka zgjedhur të shmangë çadrën e protestuesve.
 
"Protesta duket e qetë. Do ta takoj Bashën dhe do të diskutojmë, por nuk do të negocioj. Vendi i çdo force politike është në parlament. Anëtarët e tij janë zgjedhur për të bërë punën e tyre në parlament",- deklaroi raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein.
 
Më pas, Fleckenstein, i shoqëruar nga ambasadorja, Romana Vlahutin, pati një takim edhe me kreun e qeverisë, Edi Rama, takim të cilin e ka cilësuar si pozitiv.
 
Më herët, Fleckenstein ka postuar një status në Twitter, ku shprehet se do të ketë një agjendë të vështirë në Shqipëri me takime serioze. Raportuesi për Shqipërinë do të takohet edhe me kreun e PD-së, Lulzim Basha, dhe me ministren e Integrimit, Klajda Gjosha. Ndërkaq, situata e protestës vazhdon të jetë e njëjtë. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, e ka krahasuar protestën e opozitës me të Rumanisë, ndërsa ka deklaruar se nuk ka kthim mbrapa deri në krijimin e qeverisë teknike.
 
Protesta ka nisur të shtunën më 18 shkurt dhe pritet të vazhdojë pa afat.
 
LULJETA NDOKA