Maqedoni

LSDM: me rizgjedhje të gjykatësve, drejtësi do të ketë; VMRO-DPMNE: gjykatësit punojnë sipas ligjeve, jo si do Zaevi

21.02.2017 18:02

Riorganizimi i punës së gjykatësve ka përplasur dy partitë maqedonase...

LSDM përmes një kumtese ka paralajmëruar se do të zbatojë reformat e Komisionit Europian dhe Raportin e Pribesë, që të sigurojë funksionim të pavarur të institucioneve në vend si dhe rizgjedhje të tërësishme të gjykatësve, duke theksuar se askush nuk do ta pengojë më drejtësinë në Republikën e Maqedonisë.
 
“Në Maqedoni do të zbatohen reforma tërësore sipas raporteve të Rajhard Pribe dhe të Komisionit Europian, që do të sigurojnë institucione të pavarura. Do të ketë rizgjedhje të tërësishme të gjykatësve. Gjykatësit do të punojnë në mbrojtjen e qytetarëve, e jo sipas direktivave partiake si deri më tani. Për këtë shkak të gjitha përpjekjet e kriminelëve dhe shpresave se mund ta evitojnë drejtësinë janë të padobishme”,- thuhet në kumtesën e LSDM-së.
 
VMRO e akuzon LSDM-në se mbron krimin dhe ushtron presion mbi gjyqësorin.
 
“Maqedonia njëherë e pa se si duket kur LSDM-ja në një ditë ndryshon 617 gjykatës dhe prokurorë me të atillë sipas modelit të tij. Opinioni me sytë e vet e ka parë edhe se si eksponenti i LSDM-së në gjyqësinë PPS-së i mbron nxënësit e saj. Janeva e liroi Verushevskin, e aboloi për herë të dytë Zaevin dhe zbaton ndjekje publike kundër VMRO-DPMNE-së”,- qëndron në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
 
BESIM ABDULLAI