Maqedoni
Takohen LSDM dhe “Aleanca për shqiptarët”, bisedohet për principet e qeverisjes së ardhshme
21.02.2017 18:41
Formimi i qeverisë, parimet e qeverisjes dhe dekriminalizimi i institucioneve shtetërore janë temat për të cilat diskutua...

Formimi i qeverisë, parimet e qeverisjes dhe dekriminalizimi i institucioneve shtetërore janë temat për të cilat diskutuan grupet e punës të LSDM-së dhe “Aleancës për shqiptarët”.
Sekretari i përgjithshëm i LR-PDSh-së, Arben Taravari, tha se në këtë takim, që ai e cilëson si konstruktiv, nuk është diskutuar për gjuhën shqipe.
“Biseduam për mundësinë e formimit të një shumice të re dhe ne do t’ia kishim dhënë nënshkrimet mandatarit të ri nëse vjen deri te formimi. Biseduam në përgjithësi për principet e qeverisjes së ardhshme, dekriminalizimin e institucioneve shtetërore. Biseduam për shumë tema dhe do të ketë takime të ardhshme”,- theksoi Arben Taravari nga “Aleanca për shqiptarët”.
Oliver Spasovski nga LSDM tha se në përgjithësi është diskutuar për të ardhmen e Maqedonisë, për interesat e qytetarëve, për zhvillimin ekonomik, përmirësimin e jetës së qytetarëve të Maqedonisë, për Maqedoninë si një shoqëri e plotë etj.
“Në përgjithësi biseduam për principet, presim që së shpejti t’i marrim nënshkrimet nga partnerët që të mund ta marrim mandatin për formimin e qeverisë. Biseduam për ardhmërinë e Maqedonisë, për principet e qeverisjes së qeverisë së ardhme, për principet e formimit të shumicës së re parlamentare në Maqedoni, për nevojat e qytetarëve të Maqedonisë, për përmbushjen e interesave kombëtare të bandit, anëtarësim në NATO dhe BE, zhvillimin ekonomik etj”,- tha Oliver Spasovski nga LSDM.
BDI ende nuk ka marrë vendim final, që do t’i hapte rrugën dhënies së nënshkrimeve liderit të LSDM-së për marrjen e mandatit.
Kryesia më e ngushtë partiake e BDI-së ka shqyrtuar pesë pikat e shtruara në tryezë ku janë diskutuar gjitha opsionet, por kjo mbledhje ka qenë vetëm konsultative dhe në të nuk është marrë asnjë qëndrim.
Vendimi përfundimtar pritet të merret nga kryesia qendrore që pritet të mblidhet deri në fund të javës.
Nga Lëvizja “Besa” thonë se takimet që bëhen në emër të mbrojtjes së pikave të deklaratës, në realitet janë bisedime për koalicionin e ardhshëm BDI-Aleancë me partinë maqedonase.
“Nëse shikohet më afër, këto takime më shumë ngjajnë me bisedime për formimin e koalicionit BDI-Aleancë, për arsye se tryeza e partive politike shqiptare nuk është konstituuar. Ajo mund të konstituohet vetëm në bazë të asaj që jemi marrë vesh, e ne të gjithë jemi marrë vesh që tryezën e partive politike shqiptare duhet ta ftojë Tirana zyrtare”,- theksoi zëdhënësi i Lëvizjes “Besa”, Orhan Murtezani.
“Besa” ripërsërit se edhe pse nuk takohet me partitë e tjera, nëse ligjet që dalin nga deklarata e shqiptarëve vijnë në kuvend, atëherë do t’i kenë edhe votat e deputetëve të “Besës”.
SANIJE DURAKU
