Maqedoni

Zaev viziton Ahmetin në Reçicë, optimist se do të ketë marrëveshje, por nuk ka marrë nënshkrimet

21.02.2017 20:27

Lideri i LSDM-së Zoran Zeav pas takimit me kreun e BDI-së Ali Ahmetin deklaroi se dy liderët janë dakorduar për shumë çështje të rëndësishme në kuadër të kushteve të vendosura nga të dyja palët...

Zaev nuk deklaroi nëse ka marrë garanci nga kreu i BDI-së për mbështetje me nënshkrimet e deputetëve të partisë së Ahmetit. Tha vetëm se për disa paqartësi të dala gjatë bisedimeve të grupeve punuese, ishte e nevojshme që të bisedohet dhe dakordohen  politikisht të dy liderët.
 
Sipas Zaevit, gjërat që janë dakorduar mes tyre, përpara se të shpalosen për opinionin, ata duhet të merren për shqyrtim nga grupet e punës, sepse as ai e as lideri I BDI-së nuk janë ekspertë dhe për pjesën ligjore të çështjeve që duhet të kthehen  në ligje, duhet të flasin ekspertët e angazhuar nga të dyja palët. 
 
“Unë shpresoj që sa më shpejtë të mbaroj procesi i bisedimeve për formimin e Qeverisë. Jam optimist se do të mbarojë pozitivisht. Ja sot disa çështje i pastruam bashkë me Ahmetin. Shpresoj që edhe ekspertët e grupeve tona punuese do t’i rregullojnë që në kuadër të Kushtetutës, për të cilën mu të dy partitë merren që t’i përmbushin kërkesat për barazi të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, tha Zoran Zaev.
 
Ai tha se partia e tij me BDI-në i kanë të afërta qëndrimet dhe se disa nga pikat janë tejkaluar.
 
“Ne jemi të afërt dhe kjo është një mundësi unikate që disa paragjykime, pas gjithë këtyre 25 viteve t’i largojmë. Dallimet janë në përkthimin kushtetues dhe praktikës së ligjit. Qëllimi është që të vihet në praktikë ligji, nuk është që vetëm të shkruajmë ligje të caktuara. Sonte i kemi shqyrtuar disa nga çështjet për të cilat kanë biseduar grupet punuese të partive tona, pra BDI-së dhe LSDM-së. Tani unë dhe Ahmeti, do t’ua bartim qëndrimet tona grupeve punuese me qëllim që ta lehtësojë punën e procesit. Shumica e çështjeve të cilat kanë dalë nga platforma e partisë tonë dhe platforma e partive shqiptare, shumica prej tyre janë çështje të absolvuara. Shpresoj që sa më shpejtë të merren nënshkrimet”, shtoi Zaev.
 
Zaev shtoi se palët kanë rënë dakord për formimin e një organi që në shpërndarjen e buxhetit do të kujdeset për zhvillimin e komunave më të varfëra dhe vendeve rurale me zhvillim më të vogël.