Maqedoni

Anulohet seanca për “Shuplakën”, prokuroret speciale dënohen me nga 2 mijë euro

22.02.2017 12:47

Anulohet seanca gjyqësore për “shuplakat” ndaj kreut të komunës Qendër, Andrej Zhernovskit...

Lënda është dërguar në Këshillin e Prokurorëve, ndërkohë që prokuroret speciale, Katica Janeva dhe Fatime Fetai, janë gjobitur me nga 2000 euro, pasi që prokurorja speciale, Katica Janeva, gjykatëses, Tatjana Mihajllovai, i është drejtuar me vërejtje  se nuk e meriton të jetë gjykatëse. Këtë veprim prokuroret speciale e cilësuan si falsifikim intelektual.
 
“Gjendja faktike kur është mbajtur seanca gjyqësore nuk përputhet me procesverbalin që na është dërguar. Ne në pajtim me ligjin kemi të drejtën e plotë në video-xhirimet, gjë që nuk na është dërguar”,- theksoi kryeprokurorja speciale, Katica Janeva.
 
“Që në pjesën e përjashtimit të opinionit gjykatësi bëri falsifikim intelektual. Gazetarët prezentë në seancën e kaluar mund të jenë dëshmitarë se kur unë si përfaqësuese e akt-akuzës si dhe mbrojtëse e kësaj lënde jam prononcuar për përdorimin e paligjshëm të përgjimeve si dëshmi, opinioni ishte jashtë seancës dhe më pas kur u kthyen gazetarët gjykatësi me zë të ulët lexoi vetëm një pjesë të asaj që ne prezantuam, ndërsa në procesverbal u shënua e kundërta”,- deklaroi prokurorja speciale, Fatime Fetai.
 
I akuzuari kryesor në këtë rast, Nikolla Gruevski, e quajti seancën e sotme si teatër, ndërsa avokati i tij, Dodevski, vlerësoi se prezantimi i prokurorëve ka qenë skenar i  kurdisur paraprakisht.
“Unë sot erdha në gjykatë, por gjithçka që pashë në këtë seancë i ngjan një teatri”,- u shpreh i akuzuar për rastin “Shuplaka”, Nikolla Gruevski.
 
“Sjellja frapante e prokuroreve speciale nuk ka shpjegim tjetër përveç që është një skenar i përgatitur paraprakisht për të bërë shtypje flagrante tek gjykatësi i kësaj lënde. Rezultati është dënim i shumëfishtë”,- tha avokati mbrojtës, Nikolla Dodevski.
 
Prokuroret speciale thanë se me kënaqësi do t’i paguajnë dënimet.
 
“Me kënaqësinë më të madhe, të dyja u ndëshkuam me dënim nga 2 mijë euro, bëhet fjalë për 4 dënime të veçanta, po do t’i paguajmë me kënaqësinë më të madhe”,- theksoi prokurorja speciale, Fatime Fetai.
 
Për dhunën në komunën Qendër akuzohen 14 persona, 5 prej të cilëve si nxitës, të tjerët si kryerës direkt të dhunës. Mes të akuzuarve, përveç ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, janë edhe ish-ministri, Mile Janakievski, dhe ish-këshilltarja në komunën Qendër, Daniella Rangelova. Seanca e ardhshme parapërgatitore është caktuar për më 10 mars. 
 
REXHEP QAMILI