Maqedoni
Mogerini në mars viziton rajonin: Ballkani Perëndimor, prioritet kyç i BE-së
22.02.2017 14:31
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, në fillim të muajit të ardhshëm do të realizojë një mini-turne nëpër shtetet ballkanike...

Prej datës 1 e deri më 4 mars, shefja e politikës së jashtme dhe e sigurisë europiane do ta vizitojë Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë e Hercegovinë, Malin e Zi, Serbisë dhe Republikën e Maqedonisë, lajmërojnë nga kabineti i Mogerinit.
Në prag të kësaj vizite, përfaqësuesja e lartë e BE-së deklaroi se kjo mini-turne e saj nëpër vendet ballkanike është me qëllim që të sigurohet pakthyeshmëria e procesit të integrimit të këtyre vendeve në Union.
“Për Bashkimin Europian, puna me vendet nga Ballkani Perëndimor, rajon i cili është në zemër të Europës, është prioritet kyç. Punoj për të parë se secili nga partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor po lëviz përpara në rrugën e reformave, të lëviz drejt Bashkimit Europian dhe të sigurohet se procesi është i pakthyeshëm. Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore mbeten me rëndësi thelbësore në këtë kontekst”,- porositi Mogerini.
Ajo do t’i informojë ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së për këtë vizitë në Këshillin për Punë të Jashtme, muajin e ardhshëm.
