Botë
Gjermani, përshpejtohet deportimi i azilkërkuesve të refuzuar
22.02.2017 15:33
Ekzekutivi i Gjermanisë ka miratuar një plan, përmes të cilit do të bëhet më e lehtë deportimi i azilkërkuesve, kërkesat e të cilëve janë refuzuar...
Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, tha se masat e fundit nënkuptojnë se deportimi i azilkërkuesve me kërkesa të pamiratuara do të përshpejtohet, e në këtë mënyrë më shumë njerëz do të rikthehen në vendet e tyre të origjinës.
“Masat e reja përfshijnë edhe përmirësimin e rregullave që e bëjnë më të lehtë marrjen në pyetje të personave që besohet se janë të rrezikshëm, përpara se t’i deportojnë ata, si dhe dhënien e lirisë së veprimit ndaj autoriteteve për mbikëqyrjen e tyre. Gjithashtu u lejohet autoriteteve të shqyrtojnë dhe vlerësojnë të dhënat në telefonat celularë apo kompjuterë, kur identiteti i një azilkërkuesi është i dyshimtë”,- u shpreh ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas De Maiziere.
Gjermania ka nisur së fundi deportimin e më shumë afganëve, një lëvizje e kritikuar ashpër nga disa që nuk e konsiderojnë Afganistanin një vend të sigurt. Disa qeveri rajonale kanë refuzuar t’i kthejnë mbrapsht njerëzit në Afganistan. Për sonte është planifikuar nisja drejt Kabulit e një grupi me 50 individë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila garon në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit, ka bërë thirrje vazhdimisht për një “përpjekje kombëtare” për të siguruar që njerëzit pa të drejtë qëndrimi të largohen nga vendi.
Gjermania u “përmbyt” nga mbi 890 mijë azilkërkues në vitin 2015, ndërsa prej atëherë ka punuar mbi mënyrën se si do të përballonte këtë fluks, duke përshpejtuar si dhënien e azilit ndaj atyre që e meritojnë vërtet atë, ashtu edhe kthimin mbrapsht të atyre që nuk ia dalin të sigurojnë azil.
GAZMEND REXHEPI
