Qasje e njëjtë në tregun e punës, hapet qendra për punësim të personave me hendikep
"Qendër për punësim të personave me hendikep" është projekti i ri...

"Qendër për punësim të personave me hendikep" është projekti i ri i Odës Ekonomike dhe "Polio Plus - lëvizje kundër hendikepit".
Qëllimi i projektit është inkuadrimi më i madh i personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës përmes përmirësimit të shkathtësive të tyre, arsimit dhe kualifikimeve, pra do të ndërtohet një urë mes personave me hendikep dhe kompanive, trajnime dhe praktika për përforcimin e shkathtësive të tyre dhe kapaciteteve të cilat do të kontribuojnë për qasjen integruese në tregun e punës. Paralelisht, kompanitë do të informohen për përfitimet të cilat do t'i marrin gjatë punësimit të personave me hendikap, që të sigurohen kushte adekuate për integrimin e tërësishëm të tyre.
“Do të krijohet një sistem në të cilin nga njëra anë do të merren parasysh potencialet e personave me aftësi të kufizuara, ndërsa nga ana tjetër do të njoftohen kompanitë me përfitimet nga punësimi i këtyre personave”,- tha Elena Koçoska nga “Polio Plus – lëvizje kundër hendikepit”.
“Kompanitë gjithnjë e më shumë përfshihen në procesin e punësimit të personave me aftësi të kufizuara dhe përgjegjësia sociale gjithnjë e më shumë i jep rëndësi këtij procesi. Ata në mënyrë aktive janë të interesuar për t’u njohur me kushtet që ofrohen në përputhje të Ligjit për punësimin e këtyre personave”,- theksoi drejtoresha operative në OEM, Elena Mishevska-Shtrbevska.
Nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale paralajmërojnë një projektligj të ri që ka për qëllim rritjen e përqindjes së personave me aftësi të kufizuara në tregun e hapur.
“Presim që pas formimit të Qeverisë së re të Maqedonisë ligji i ri të kalojë. Pas kësaj do të vendoset një sistem i cili do të ketë qëllim që personat me aftësi të kufizuara të përfshihen në tregun e punës”,- u shpreh ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
Projekti është pjesë nga Programi operues IPA për zhvillim të resurseve njerëzore 2011-2013. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)
