Ligji për shqipen, ekspertët: Shqiptarët më të unifikuar

22.02.2017 16:51

Takimi Ahmeti-Zaev në selinë e BDI-së në Reçicë kishte për qëllim harmonizimin....

Takimi Ahmeti-Zaev në selinë e BDI-së në Reçicë kishte për qëllim harmonizimin e tre drafteve ligjore të dy blloqeve politike për përdorimin e gjuhës shqipe. Profesori universitar, Osman Kadriu, në emisionin debativ “Argument” zbuloi se dy drafte vijnë nga blloku shqiptar dhe një draft nga LSDM.

Qëndrimet e partive, sipas Osmanit, ndeshen në pjesën e përdorimit të gjuhës shqipe në procedura gjyqësore.

“Me plot të drejtë reagojnë partitë politike shqiptare që kërkojnë draft të ri me dispozita shumë më të cilësuara se sa ligji aktual. Çka bën ligjdhënësi me përdorimin e gjuhës shqipe, përsëris nuk e përmend termin gjuha shqipe, por supozohet se përdoret dhe mendohet për gjuhën shqipe... Blloku maqedonas, ata kanë vërejte serioze për dispozitën me të cilën kërkohet që edhe procedura gjyqësore edhe procedura administrative, që nënkupton procedurën para organeve administrative – shtetërore, të përdoret gjuha shqipe”,- deklaroi profesori universitar, Osman Kadriu.

Profesori universitar, Mersim Maksuti, thotë se bisedimet mund të dështojnë përderisa Zaev nuk e ka mandatin. Faktori shqiptar duhet të jetë më i unifikuar, thotë Maksuti.

“Pa e marrë zoti Zaev mandatin mund të dështojnë të gjitha këto bisedime, se nesër mund të dalë zoti Zaev dhe të arsyetohet eventualisht nëse nuk është tolerantë në kuptimin e formimit të ligjit më të avancuar, sepse mund të thotë se unë nuk isha i përcaktuar ende si mandatar. Qëndrimi im është se do të ishte mirë që ata të ishin të unifikuar në përgatitjen e një draft-ligji të përbashkët të subjekteve politike në raport me palën maqedonase”,- u shpreh profesori universitar, Mersim Maksuti.

Sipas Kadriut, propozimet parashikojnë avancim të gjuhës shqipe në kuvend, ku kryetari apo nënkryetari shqiptar të drejtojë seancat në gjuhën shqipe, ministrat shqiptarë të flasin shqip në seancat e qeverisë, ndërkaq noteri të gjitha aktet me palën t’i realizojë në gjuhën shqipe. Por, sipas Kadriut, që të garantohet barazia e gjuhës shqipe është e nevojshme të ndryshojë Kushtetuta.

“Definicioni duhet të jetë përafërsisht kështu: gjuhët zyrtare në RM janë gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj, si dhe edhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj. Nën dy ligjdhënësi obligohet për përdorimin e  gjuhës shqipe të sjellë ligj të veçantë... Kur punëdhënësi obligohet që të sjellë ligj, ai nuk guxon me ligjin ta ndryshojë dispozitën kushtetuese kur punohet për statusin e gjuhës shqipe në nivel të shtetit”,- u shpreh profesori universitar, Osman Kadriu.

Por, Maksuti konsideron se avancimi mund të jetë i pjesërishëm, duke lënë pas dore administratën.

“Ne nuk kemi vetëm gjykatat këtu, kemi edhe prokuroritë, kemi administratën, e cila përfshin pjesën më të madhe të organeve të shtetit. Mbi 90% e shtetit është administratë dhe është e rëndësishme që të futet e drejta e përdorimit masiv të gjuhës shqipe në të gjithë administratën e shtetit, sepse aty e kemi shumicën e organeve të shtetit”,- theksoi profesori universitar, Mersim Maksuti.

Gjuha shqipe nuk parashikohet të cungohet në polici, por i papranueshëm është fakti që komandanti i ushtrisë të japë urdhra në gjuhën shqipe. Sipas Maksutit, që përdorimi i gjuhës shqipe të mos kuptohet si federalizim dhe kërcënim i shtetit, do të ishte mirë që të hapet debat i gjerë me përfshirje të akademikëve për sensibilizim të opinionit. (Meral Ismaili, TVM2)