Karaxhoski: Nuk ka gjykatës të hendikepuar apo privilegjuar
Këshilli gjyqësor është i pafuqishëm të intervenojë në lidhje me zhvillimet e fundit në Gjykatën Penale....

Këshilli gjyqësor është i pafuqishëm të intervenojë në lidhje me zhvillimet e fundit në Gjykatën Penale.
Kryetari, Zoran Karxhoski, thotë se shpërndarja e disa gjykatësve në procedurën kundërvajtëse nuk është në kompetencë të kryetarit të gjykatës dhe këshilli nuk mund të ndërhyjë, por, sipas tij, gjykatësi është gjykatës, pa marrë parasysh a punon në lëndë penale ose kundërvajtëse, prandaj nuk ka koment se përse kolegët gjykatës kanë ndjenjën se u bëhet padrejtësi dhe as pse një pjesë prej tyre ka qëndrim se me shpërndarjen e re kryetarja e gjykatës po ju hakmerret pikërisht për shkak të qasjes së tyre ndaj lëndëve të PPS-së.
“Gjykatës të përshtatshëm dhe të papërshtatshëm nuk ka. Të gjithë gjykatësit janë gjykatës, atë e kam ripërsëritur disa herë deri më tani. Asnjë nga ata nuk është i hendikepuar apo i privilegjuar përderisa transferohet në departament tjetër, nuk duhet kështu të llogaritet. Nga ana tjetër në këtë drejtim mund të dalë ndonjë gjykatës tjetër dhe të thotë që pse unë punoj gjithë jetën në departamentin e penales, sepse unë kam vlerësime të larta”,- theksoi kryetari i Këshillit gjyqësor, Zoran Karaxhoski.
Karaxhovski, madje, i quajti raportimet e mediave rreth këtij rasti si raportime teatrale, madje edhe i qortoi gazetarët për, siç tha, përshkrim skandaloz të aktit të shpërndarjes së gjykatësve në detyrat e reja.
“Jam i habitur nga sjellja ofenduese dhe me një vokabular, me fjali aq vulgare të një pjese të gjykatësve të cilët janë të intervistuar, si dhe nga një pjesë e gazetarëve apo të ashtuquajtur gazetarë”,- tha kryetari i Këshillit gjyqësor, Zoran Karaxhoski.
Sa i përket përzgjedhjes të kryetarëve të Penales dhe Gjykatës supreme, Karaxhovski tha se procedura duhet të presë deri në përfundimin e procedurave të ankimimit të ish-kryetares së Gjykatës supreme, kandidates Lidija Nedelkova. Mosmarrëveshjet në Gjykatën penale zgjasin një kohë të gjatë. Rivaliteti midis ish-kryetarit të Gjykatës, Vlladimir Pançevski, dhe gjykatësit, Ivan Gjolev, në garën për ulësen e parë të Gjykatës po zhvillohet nëpërmjet parashtresave midis tyre për përgjegjësi disiplinore dhe kallëzime penale. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
