Maqedoni

Raporti i “Amnesty International”: PPS përballet me sulme të fshehta. Në rastin e Kumanovës u ushtrua forcë e tepruar

22.02.2017 18:00

Maqedonia ka shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut në rastin e Kumanovës, ku ka ushtruar forcë të tepruar...

Nuk i ka respektuar këto të drejta as gjatë krizës me refugjatët sirianë.
 
“Amnesti Interneshënëll” në raportin për vitin 2015-2016 shkruan se liritë dhe të drejtat e njeriut janë shkelë edhe në kontekst të lirisë së shprehjes, ndërsa PPS-ja përballet me akuza të vazhdueshme dhe sulme të fshehta politike.   
 
"Prokuroria Speciale u formua në tetor të vitit 2015 me qëllim hetimin e funksionarëve të përfshirë në skandalin e përgjimeve, si dhe të hetojë politikanët e implikuar në krim. Prokuroria vazhdon që të përballet me trysni për kryerjen e punës së saj”, – thuhet në raportin e “Amnesti Intereshënëll”. 
 
“Publikimi i regjistrimeve audio, jo vetëm që zbuloi prova për korrupsion qeveritar, por tregoi survejimi të gjerë, të fshehtë. Autoritetet nuk arritën të respektojnë të drejtat e refugjatëve dhe të emigrantëve, duke përfshirë përdorimin e paraburgimit të paligjshëm dhe përdorim të tepruar të forcës”, -thuhet në raport, duke shtuar se përgjimet kanë zbuluar korrupsionin qeveritar, shpërdorim të detyrës, mashtrim elektoral dhe ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit.
 
Sipas “Amnesti Interneshënëll”, në rastin e Kumanovës ka pasur përdorim të tepruar të forcës, kur në shkëmbimet e rënda të zjarrit 14 shqiptarë dhe tetë policë u vranë.
 
“Tridhjetë shqiptarë etnikë, përfshirë ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë arrestuar, disa pretendojnë se janë rrahur në paraburgim, mirëpo Ministria e Brendshme ka injoruar thirrjet për një hetim të pavarur të operacionit”, theksohet në raport.
 
Mbi 2.000 gazetarë janë vlerësuar të jenë nën mbikëqyrje nga ana e qeverisë.
 
Regjistrimet e publikuara tregojnë financimin indirekt të mediave pro-qeveritare dhe ndikimin politik në përmbajtjen e lajmeve.
 
SHPËTIM NUREDINI