Maqedoni

Takimi me Zaevin, Ahmeti mbledh kryesinë në Reçicë

22.02.2017 18:25

Në Reçicë të vogël në Tetovë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, mblodhi kryesinë qendrore për t’i njoftuar me qëndrimet...

Në Reçicë të vogël në Tetovë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, mblodhi kryesinë qendrore për t’i njoftuar me qëndrimet e mbrëmshme të liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, por në tavolinën e integristëve do të vendosen edhe rezultatet e deritanishme të negociatave me LSDM-në, mundësia e dhënies se nënshkrimeve për marrjen e mandatit dhe formimi i qeverisë.
 
Dy liderët, Ahmeti dhe Zaev, bëjnë me dije se deri diku i kanë përafruar qëndrimet, por vazhdojnë të ngelin dallimet lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe.
 
Zaev pas takimit të mbrëmshëm tha se Kushtetuta nuk do të ndryshohet, ndërsa Ahmeti dëshiron që shqipja të ketë statusin e gjuhës zyrtare. 
 
“Tani për tani nuk bëhet fjalë për ndërtime e koalicione. I gjithë takimi ka shkuar duke parë se ku janë dallimet thelbësore mes dy subjekteve politike. Gjuha duhet të ketë statusin që i duhet, si zyrtare në këtë shtet. Me imtësi shihet çdo gjë që të mos krijohet përshtypja se punohet me nxitim. Për detaje do merren orientimet politike që burojnë nga ky takim për ekspertë të fushës së drejtësisë ku palët kanë dallime, sipas situatave ashtu dhe do bëhet thirrja për organet e partisë, sigurisht që do të varet nga të gjitha argumentet për zgjidhje, se nuk janë çështje të lehta që të merret një vendim”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
BDI dhe LSDM harmonizuar qëndrimet për mbështetjen e Prokurorisë Speciale, integrimin e vendit në BE dhe NATO, zbatimin e rekomandimeve nga raporti i Pribesë, Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ndarjen e balancuar të buxhetit.
 
Në pjesën për barazi ekonomike të rajoneve është dakorduar që të formohet një trup kontrollues, i cili para miratimit të buxhetit do t’i marrë parasysh të gjitha aspektet e ndarjes së barabartë të buxhetit.
 
Ende nuk dihet asgjë mbi përbërjen dhe funksionimin e këtij trupi kontrollues.
 
SANIJE DURAKU