Botë
Fleckenstein: PD të heq dorë nga bojkoti parlamentar; Basha: nuk ka kthim në parlament!
22.02.2017 18:53
Raportuesi Knut Fleckenstein i bën thirrje Partisë Demokratike që të heq dorë nga bojkoti parlamentar dhe t’i rikthehet punës për reformën në drejtësi...

Bllokimi i procesit të vetingut, sipas Fleckenstein, do të sillte shtyrjen e çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE në një kohë të pacaktuar.
Raportuesi përcaktoi shtatorin si kohë kur merret vendimi për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit, pasi do të shihet edhe ecuria e zgjedhjeve të qershorit.
“U kërkoj kolegëve dhe miqve të mi në Partinë Demokratike që të vazhdojnë atë që ata e mendojnë se është e nevojshme, por u kërkoj atyre që të kthehen në punë. Ky nuk është vetëm mendimi i Knut Fleckenstein, apo i komisionerit Hahn, apo i përfaqësueses së lartë Mogherini, apo i ambasadores së BE-së në Shqipëri, zonjës Vlahutin, por i të gjithëve ne. Ju e dini që kur kemi diskutuar reformën në drejtësi ajo ka qenë një betejë e fortë në mënyrë që të siguronim ndarjen 50 me 50 të komisioneve, ndaj u them kolegëve të mi të PD-së: mos na jepni ndjesinë që keni keqpërdorur këtë. Minimalja që u kërkoj është që të ktheheni dhe të shkoni në punën e komisioneve. Mos ndaloni procesin e Vettingut dhe reformën në drejtësi”,- tha Fleckenstein.
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, tha se opozita nuk do të kthehet në Parlament pa u plotësuar kushti për qeveri teknike.
Në çadrën e protestës ai lëshoi edhe një mesazh për kryeministrin, Edi Rama, dhe kryeparlamentarin, Ilir Meta, të cilët ishin takuar vetëm një natë më parë në selinë e Kryeministrisë.
“Le ta dëgjojnë mirë Edi Rama dhe Ilir Meta! Jo një, po 10 darka le të hanë, buka e popullit do u ngecë në fyt! Nuk ka pazar me zgjedhjet e lira e të ndershme! Kjo nuk është lëvizja e një partie politike, por lëvizje popullore! Unë nuk jam drejtues politik, por ushtar i kësaj kauze! Partia Demokratike dhe Lulzim Basha nuk bëhen pjesë pazaresh! Para çdo interesi tjetër, është interesi i çdo qytetari shqiptar! Nuk jemi këtu për të bërë pazar me protestën e popullit, nuk jemi këtu për të lënë në baltë qytetarët, por për të shembur nga themelet këtë sistem të korruptuar e të inkriminuar”,- u shpreh Basha.
Raportuesi për Shqipërinë në Bashkimin Europian pritet ta përmbylle nesër vizitën e tij në Tiranë, ndërsa në kryeqytetin shqiptar pritet të zbarkojë edhe përfaqësuesja e lartë e BE, Federica Mogherini.
LULJETA NDOKA
