Maqedoni
Rasti “Mitmarrja”, seanca e re më 3 mars, Zaev është jashtë vendit
23.02.2017 12:01
Është anuluar për më 3 mars seanca për rastin “Mitmarrja”, në të cilin akuzohet lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, për shkak se ky i fundit gjendet jashtë vendit...

Në seancë nuk është paraqitur as dëshmitari i Prokurorisë, Ivan Nikollov-Saçevaliev. Gjykimi i Zaevit për këtë rast është anuluar disa herë.
Në seancën e fundit, Zaev ka kërkuar nga Prokuroria Themelore për Krim të Organizuar dhe Korrupsion që të emërojë prokuror të ri në vend të Vlladimir Milloshevskit, i cili për momentin e paraqet akuzën në këtë rast, ndërkaq, sipas palës mbrojtëse, i ka kaluar mandati më 30 nëntor të vitit të kaluar.
Avokatët e Zaevit kanë kërkuar largimin e Milloshevskit, gjithashtu edhe pasi që i njëjti po hetohet nga Prokuroria Speciale Publike për disa vepra penale. Megjithatë, Prokuroria ka hedhur poshtë kërkesat e Zaevit.
“Prokuroria Publike Republikane e ka refuzuar propozimin që ta marrin lëndën e prokurorit, Zllatko Bikovski. Domethënë është marrë vendim, të drejtë ankese nuk ka. Të shohim Këshilli i Prokurorisë Publike si organ i pavarur çfarë do të vendosë”,- deklaroi avokati mbrojtës i Zoran Zaevit, Jakim Naumov.
Sipas aktakuzës për rastin “Mitmarrja”, Zaev ngarkohet se në cilësinë e personit zyrtar, si kryebashkiak i Strumicës, nga biznesmeni, Ivan Nikollov, ka kërkuar ryshfet prej 163.924 euro, gjegjësisht nga 2 euro për një metër katrorë tokë ndërtimore në Strumicë, të cilën Nikollov ka qenë i interesuar ta privatizojë.
BELINDA KOK-ADEMI
