Botë
41 zjarre të reja në Kili, evakuohen 3 mijë banorë, nuk ka viktima
23.02.2017 13:31
Vatra të reja zjarri në Kili kanë shkrumbuar 3.500 hektarë tokë duke detyruar 3.000 njerëz të evakuohen...

Kjo është periudha më e keqe në historinë moderne të vendit me 41 vatra aktive. Në Katilo janë evakuuar të gjithë banorët si masë mbrojtëse dhe për fat të mirë nuk ka viktima.
“Ka dalë jashtë kontrollit, në fakt xhaxhai im e ka shtëpinë atje, i është djegur tërësisht. Nuk arritëm dot në kohë ta shpëtonim, tani po ndihmojmë këtu. Zjarri erdhi që atje poshtë, por shpresojmë të mos përhapet më tej. Ne do vazhdojmë të bëjmë roje”,- u shpreh një banori i zonës Felipe Garrido.
“Ishte e pabesueshme, zjarri përhapej në çdo sekondë, 200-300 metra më tej. Kanë ardhur zjarrfikësit, policia, ushtria, na kërkuan të evakuohemi”,- theksoi një banor i zonës, Jonathan Flores.
Emergjenca civile u ka kërkuar banorëve që të mos kthehen në qytet para kohe, edhe nëse zjarret pushojnë të përhapen momentalisht.
“Kemi një situatë emergjente, pra banorët nuk mund të kthehen në Katillo apo në zonat përreth derisa autoritetet nuk vërtetojnë se rreziku është mënjanuar në tërësi. Njerëzit duhet të dëgjojnë mediat lokale për informacione zyrtare”,- tha drejtori në Drejtorinë Kombëtare të Emergjencave, Ricardo Toro.
Që nga e mërkura, në rajon punojnë pa pushim 16 brigada me 390 punonjës. Ato mundohen të mos lejojnë vatrat e zjarrit të depërtojnë në lagjet me shtëpi më pranë njëra-tjetrës. Që nga fillimi i tyre, zjarret kanë marrë jetën e 11 personave, kanë shkatërruar 1.500 shtëpi në një dëm që llogaritet prej 333 milionë dollarë.
GAZMEND REXHEPI
