Maqedoni

NATO kërkon standarde, dyfishohen mjetet për modernizimin e ARM-së

23.02.2017 14:54

Kontributi aktiv i Republikës së Maqedonisë në pjesën e përgatitjeve të nevojshme mbrojtëse për anëtarësim të barabartë në NATO mbetet ende prioritet kyç i Qeverisë...

Që nga viti 2008 janë plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, por megjithatë Maqedonia nuk është anëtare e plotë e Aleancës. Por, kjo nuk e pengon Ministrinë e Mbrojtjes dhe ARM-në të vazhdojnë të punojnë për arritjen e standardeve.
 
Progresi i arritur në pjesën e përgatitjeve të nevojshme mbrojtëse, implementimi i Planit për pajisje dhe modernizim të ARM-së, për të cilin Qeveria ndau 315 milionë euro, është tema e konsultimeve të rregullta bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe NATO-s, që filloi sot në Klubin e deputetëve në Shkup.
 
“Ne presim që fokusi të vendoset në zbatimin e planit për pajisjen dhe modernizimin e ARM-së për të cilën Qeveria ka ndarë 315 milionë euro për të financuar projekte të cilat do të kontribuojnë për pajisje adekuate për ARM-në. Nga 7.9 milionë euro të cilat i kemi shpenzuar për pajisjet kryesore gjatë vitit 2016, këtë vit Qeveria ka treguar gatishmëri dhe vullnet politik që këto shpenzime të rriten edhe për 20 milionë euro”,- deklaroi sekretarja shtetërore në Ministrinë e Mbrojtjes, Elizabeta Çupovska-Ristova.
 
Gjithashtu, shtoi Çupovska-Ristova, jashtëzakonisht me rëndësi është vlerësuar nga NATO-ja edhe fakti që në vitin 2017 MM ka buxhet të rritur prej tetë për qind në krahasim me vitin 2016, ndërsa posaçërisht fakti që në anën kapitale kemi rritje serioze të shtesave në pajtim me kërkesat e NATO-s. Konsultimet bilaterale të Maqedonisë me ekipin e NATO-s do të vazhdojnë edhe nesër. 
 
GAZMEND KURTISHI