Maqedoni

Klinika për kirurgjinë e fëmijëve, 133 milionë denarë buxhet për 2017-n

23.02.2017 16:07

Klinika Universitare për kirurgji të fëmijëve ka siguruar buxhet në vlerë prej 133 milion denarë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor...

Gjatë vitit 2016, në këtë klinikë janë operuar dhe hospitalizuar 1.870 pacientë. Buxheti i kushtëzuar për Klinikën Universitare për kirurgji të fëmijëve ka për qëllim të stimulojë rritjen e shërbimeve shëndetësore deficitare, të shfrytëzohet për shërbimet e reja shëndetësore dhe për metodat bashkëkohore për mjekim.
 
“Numri i operacioneve nga viti në vit rritet. Vitin e kaluar numri i operacioneve ishte 1870, ku 52 kanë qenë operacione kardiovaskulare. Në klinikë funksionon hapësira për intervenim të shpejtë. Tani para 10 ditësh është bërë dhe transplantimi i veshkës dhe fëmija tani është mirë. Numri i transplantimeve të tilla ka qenë tre me buxhet të kushtëzuar dhe shpresojmë që në të ardhmen të rritet numri i intervenimeve”,- tha një mjeku.
 
“Operacionet të cilat gjatë vitit 2016 janë kryer në këtë klinikë, të gjitha janë kryer me sukses të madh. Njëkohësisht dua të theksoj se buxheti i kësaj klinike për vitin 2016 në krahasim me vitin 2012 është rritur 100%. Në vitin 2012 ka qenë 65 milionë, tani është 133 milionë”,- u shpreh drejtori i FSSh-së, Orhan Ramadani.
 
Rritja e buxhetit të kësaj klinike është bërë pasi është shtuar edhe numri i operacioneve kirurgjikale të fëmijëve dhe transplantimi i veshkave të fëmijëve, shërbime që viteve të fundit kryhen nga mjekët tanë. 
 
GAZMEND REXHEPI