Maqedoni
Kriza e refugjatëve, sfidat vazhdojnë, duhet inkuadrim në shoqëri
23.02.2017 16:18
Kriza e refugjatëve vazhdon të vejë para sfidave të reja vendet e rajonit. Ndonëse “Ruta Ballkanike” është mbyllur...

Kriza e refugjatëve vazhdon të vejë para sfidave të reja vendet e rajonit. Ndonëse “Ruta Ballkanike” është mbyllur, misioni ndaj refugjatëve i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk ka përfunduar.
Në qendrat e pranimit në Tabonoc dhe Gjevgjeli janë rreth 100 refugjatë, ndërsa në Qendrën për azil në Shkup janë strehuar 30 të tjerë.
Refugjatëve që kanë mbetur në vendet e rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë, duhet t’u mundësohet strehim, arsimim dhe inkuadrim në jetën e përditshme.
“Qëllimi ynë mbetet që refugjatëve të mbetur këtu t’ua vazhdojmë procesin edukativo-arsimor. Kemi dëshirë dhe punojmë t’u mundësojmë kyçje në procesin edukativo-arsimor përmes kurseve të ndryshme dhe në jetën e përditshme, që të kenë jetë sa më të mirë”,- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
“Refugjatëve, e në veçanti fëmijëve, u nevojitet të kenë një vend të sigurt ku do të qëndrojnë dhe ndjehen mirë. Ata duhet të vazhdojnë jetën normale dhe të ndjekin mësimin”,- theksoi Elspet Erikson nga UNICEF.
Por, në menaxhimin e suksesshëm të krizës së refugjatëve është e domosdoshme përfshirja e të gjitha institucioneve dhe organizatave humanitare, vendore e ndërkombëtare, thanë pjesëmarrësit në Punëtorinë kushtuar nevojave humanitare të refugjatëve dhe emigrantëve. Përmes Maqedonisë, nga marsi i vitit 2015 deri në mars të 2016-s kanë transituar mbi 800 mijë refugjatë.
REXHEP QAMILI
