Maqedoni

Propozim-ligji për gjuhën kaloi, BDI nesër vendos për pikat e tjera

23.02.2017 16:28

Kryesia e BDI-së i ka dhënë pëlqimin propozim-ligjit për gjuhën shqipe, të harmonizuar me LSDM-në...

Kryesia e BDI-së i ka dhënë pëlqimin propozim-ligjit për gjuhën shqipe, të harmonizuar me LSDM-në, një nga pikat më të rëndësishme në negociatat për bashkëqeverisje. Vendimi ka qenë unanim, thotë zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani. 
 
“BDI dha pëlqimin për tekstin e ligjit të harmonizuar me LSDM-në, por kjo nuk do të thotë se ka një vendim për bashkëpunim qeveritar, por do të duhet të përfundojnë edhe pjesë të tjera të këtij debati”,- deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
 
Debati për çështjet e tjera, pjesë e negociatave, do të vazhdojë ditën e premte kur edhe pritet të vendoset nëse BDI do t’ia japë apo jo LSDM-së  nënshkrimet e 10 deputetëve për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë.  
 
“Tash ka çështje të cilat kanë mbetur për t’u diskutuar, eventualisht për harmonizim të platformave për mënyrë të përkrahjes së ndërsjellë. Po ka edhe tema të tjera të cilat do t’i hapim ditën e premte, me rëndësi është se sot kemi mbyllur një fazë të rëndësishme të këtij procesi”,- theksoi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
 
Përderisa BDI ka rënë dakord për Ligjin për gjuhën shqipe, Lëvizja “Besa”, një nga nënshkrueset e Deklaratës së përbashkët, thotë se është anashkaluar nga BDI dhe se nuk është njoftuar me projekt-ligjin. 
 
“Nuk na ka informuar askush për asgjë. Zyrtarizimi i shqipes mund të bëhet edhe me ndryshime ligjore, por kushtetuta mund ta zgjidhë shumë më mirë dhe pa ekuivoke”, - u shpreh Orhan Murtzani nga Lëvizja “Besa”. 
 
Ndërkaq, LR-PDSh e mbështet këtë zgjidhje. “Po, së bashku e analizuam në takimin e së shtunës dhe i vendosëm kushtet për ndryshimet e domosdoshme”, – thotë në përgjigjen e tij me shkrim Arben Taravari nga LR-PDSh.
 
SHPËTIM NUREDINI