Maqedoni

Personat me invaliditet, hulumtimi: Të diskriminuar, veçanërisht gjatë punësimit

23.02.2017 17:01

Persona me invaliditet kanë nevojë për organizim mjekësor dhe rehabilitim fizik....

Për këtë nevojitet certifikim i kompanive për asistim personal dhe trajnime të organizuara, tregon hulumtimi në kuadër të projektit “Përparim i shërbimeve për inkluzion social”. Sipas rezultatit të hulumtimit, personat me invaliditet janë të diskriminuar sidomos në tregun e punës. 
 
“Një pjesë e madhe e personave me invaliditet kanë shprehur nevojë për shfrytëzimin e shërbimeve të përditshme. Ajo që është me interesante, se personat me invaliditet janë shumë pak të interesuar për asistimin personal në vend të punës dhe kjo do të thotë se personat me invaliditet nuk punojnë”,- deklaroi ekspertja për asistim personal, Marijana Jankoviq.
 
“Fokusi i hulumtimit nuk ka qenë vetëm tek personat me invaliditet, por edhe tek profesionistët që punojnë me ta. Ne e kemi parë se kjo kategori e qytetarëve kanë nevojë për rehabilitim profesional dhe asistentë personalë”,- u shpreh liderja e projektit, Helena Vahallopollus.
 
Në vitin 2009, 30.3%  persona me invaliditet kanë qenë të punësuar, prej tyre  20.5%  kanë kërkuar punë nëpërmjet Agjencisë për punësim dhe 49.2 % kanë qenë joaktivë. Sipas të dhënave nga Agjencia për punësim, në dhjetor të vitit 2013 janë paraqitur 1208 persona të papunë me invaliditet.
 
Janë evidentuar persona të papunë me mosha të ndryshme, por një numër i madh i kësaj kategorie kanë qenë të paarsimuar. Hulumtimi është financuar nga BE dhe  është realizuar në të gjithë territorin e Maqedonisë për të parë nevojat dhe kërkesat e personave me invaliditet. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ