Maqedoni
Deklaratat e VMRO-DPMNE, Musliu: defokusim, kthen luftën politike në luftë etnike
23.02.2017 17:13
Paralajmërim për valë protestash apo fushatë për zgjedhjet lokale të radhës dhe asgjë më shumë...

Kështu e ka cilësuar njohësi i zhvillimeve politike në vend, Albert Musliu, deklaratën e kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevkit, i cili negociatat që zhvillohen mes LSDM-së dhe partive shqiptare i quajti përpjekje për “defaktorizimin e maqedonasve dhe ridefinimin e Maqedonisë si shtet”.
“Ato deklarata janë në vazhdën e deklaratave të cilat i bën me tendencën që atë luftën politike midis VMRO-së dhe LSDM-së ta defokusojë dhe ta prezantojë si luftë ndërmjet dy komuniteteve, duke e prezantuar vetveten si udhëheqësin e kombit, ndërsa në fakt ai është kryetar i një partie politike. Numrat nuk i premtojnë në atë në të cilën e deklaron, por mendoj se kjo është një uverturë e një kampanje ose për zgjedhjet lokale, ose eventualisht një seri protestash të cilat mund të na ndodhin, mund t’i organizojë VMRO-ja nëse krijohet qeveria me shumicë tjetër. Ashtu që mendoj se nuk është e përgjegjshme si qëndrim ngase ato tensione ndëretnike kur krijohen për interesa partiake ato nuk mund të tejkalohen pastaj me bashkëpunim partiak”,- deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
Deklarata të ngjashme mund të shtohen, thotë Musliu, por, sipas tij, nuk mund të zhvendosin vetëdijen e qytetarëve.
“Mendoj se si zhvillohen proceset jashtë mundësisë që VMRO-ja ta krijojë qeverinë, ne mund të presim deklarata edhe më të vrazhda. Ne e dimë, kur VMRO-ja e pa rrezikun se mund të humb nëpërmjet KShZ-së një deputet, ajo menjëherë organizoi protesta. Por, protestat janë pjesë e demokracisë. Ne duhet të mësohemi me atë. Unë nuk besoj se ato protesta mund ta zhvendosin shoqërinë në Maqedoni ose të krijojnë incidente më të mëdha”,- u shpreh analisti politik, Albert Musliu.
Vendin, siç thotë Musliu, veç çështjeve të hapura në mes komuniteteve të cilat duhet tejkaluar, e presin edhe shumë çështje me interes të përgjithshëm që kanë të bëjnë me Prokurorinë Speciale, zhvillimin ekonomik dhe reformat që dalin nga raporti i Pribesë.
NAIM RAMADANI
