Maqedoni

Rasti “Kumanova”, dëshmon “Malisheva”: disa politikanë e dinin që do të vinim në RM

23.02.2017 17:30

Motivi i ardhjes në Maqedoni i të akuzuarve në rastin “Lagja e trimave” ka qenë mosimplementimi i Marrëveshjes së Ohrit...

Motivi i ardhjes në Maqedoni i të akuzuarve në rastin “Lagja e trimave” ka qenë mosimplementimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe padrejtësitë që iu bëhen shqiptarëve.
 
Kështu u shpreh në dëshminë e tij para trupit gjykues Andi Krasniqi, i njohur si komandat Malisheva. Ai pranoi se në Maqedoni ka hyrë më 6 maj nga pika kufitare e Bllacës. 
 
Ai ka qëndruar në Maqedoni, konkretisht në fshatin Hotël, disa ditë para se të ndodhë aksioni në “Lagjen e trimave”, ndërsa në “Lagjen e trimave” ka arritur në orët e hershme të 9 majit dhe është pritur nga Mirsad Ndrecaj. Sipas Malishevës, disa politikanë kanë qenë në dijeni se grupi do të vijë në Maqedoni.
 
Dëshmitarët nga pala mbrojtëse do të propozohen pasi që të gjithë të akuzuarit të japin deklaratat e tyre para trupit gjykues, thotë avokati, Naser Raufi, i cili i bëri të ditur edhe emrat e disa politikanëve të cilët do të ftohen në cilësinë e dëshmitarit.
 
“Në seancë përmendet Ejup Alimi, Sadulla Duraku, përmenden pra persona që sipas deklaratës së këtij të akuzuari kanë qenë në bisedë për temën, siç thashë, për mosimplementimin e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën praktikisht këto të akuzuar edhe kanë reaguar”,- deklaroi avokati, Naser Raufi.
 
I akuzuari Krasniqi, para trupit gjykues deklaroi se Mirsad Ndrecaj më 9 maj i ka kërkuar ndihmë kreut të BDI-së, Ali Ahmetit, por në gjykatë nuk është sjellë transkripti i kësaj bisede.
 
Krasniqi tha se është dorëzuar i pari, pasi ka qenë i plagosur dhe bashkë me të ka qenë edhe Mirsad Ndrecaj, Beg Rizaj dhe dy shokë të tjerë, duke shtuar se pas dorëzimit të tyre nuk ka dëgjuar më të krisura armësh. 
 
SANIJE DURAKU