Maqedoni

EVN - Maqedoni: të hapur të tejkalojmë mosmarrëveshjet; Këshilli i protestave: morëm përgjigje, detajet në protestë nesër

23.02.2017 18:11

EVN-Maqedoni në formë të shkruar ka kthyer përgjigje për kërkesat e Këshillit protestues kundër EVN-së...

Në përgjigjen prej 14 faqesh sqarohet detajisht veprimtaria e ndërmarrjes dhe njëkohësisht jepen sqarime për protestuesit se cilat kërkesa nuk janë në kompetenca të EVN-së.
 
Zëdhënësi i EVN-së, Atanas Kovaçevski, pas takimit me Këshillin organizativ protestues tha se është bërë ajo që është në duart e EVN-së, por për disa kërkesa nevojitet më shumë kohë për përgjigje.
 
“Kemi dhënë sqarime për të gjithë kërkesat që janë në ingerencat tona, por në përgjigje janë dhënë edhe sqarime për disa çështje që nuk janë kompetencë në EVN-së, siç është çmimi, liberalizimi i tregut etj. Ajo që është punë e jona, siç janë kyçjet, përmirësimi i rrjetit elektrik, rritja e fuqisë, faturat, ku kemi dhënë edhe përgjigje dhe sqarime pikërisht me shkrim. Jemi të hapur për të tejkaluar të gjitha mosmarrëveshjet, pasi që për disa punë nevojitet edhe kohë”,- theksoi zëdhënësi i EVN-së, Atanas Kovaçevski.
 
“Për kërkesat që i parashtruam tek EVN-ja, sot morëm përgjigje me shkrim. Për më tepër informacion do t’i paraqesim nesër në protesta para gjithë popullatës”,- u shpreh Blerim Fejzulli nga Këshilli protestues.
 
Sipas organizatorëve të protestës, protesta e ditës së nesërme do jetë e karakterit informativ, por edhe shprehje e pakënaqësisë ndaj mospërmbushjes së tërësishme të kërkesave të protestuesve.
 
VISAR SADIKI