Maqedoni

Dankan: Zgjidhja e situatës, në duart e partive; Ahmeti: BDI do të luajë rol konstruktiv

24.02.2017 12:23

Ministri shtetëror britanik për Europën dhe Amerikën, Alan Dankan, vazhdon takimet me partitë politike parlamentare në vend...

Pas takimeve të mbrëmshme me VMRO-në dhe LSDM-në, sot ministri i Shtetit për Europën dhe Amerikën, Alan Dankan, i shoqëruar edhe nga  ambasadori britanik Garet, ka realizuar takim edhe me kreun e BDI-së, Ali Ahmetin. Në takim, Dankan shprehu përkrahjen e Britanisë së Madhe për një Maqedoni stabile. 
 
Sipas tij, zgjidhja e situatës është në duart e partive politike vendore, ndërsa lideri i BDI-së ka thënë që rrumbullakimi i Marrëveshjes së Ohrit, sundimi i së drejtës, si dhe integrimi euroatlantik janë parakushte për stabilitet dhe siguri në vend dhe kërkoi përkrahjen e Londrës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
 
Ahmeti theksoi se gjatë marrjes së vendimit të tij do të ketë parasysh vullnetin e elektoratit të BDI-së, shqiptarëve, por edhe pritshmëritë e qytetarëve dhe miqve ndërkombëtarë. 
 
“Vendin e presin shumë sfida dhe BDI do të luajë rol konstruktiv”,- ka thënë Ahmeti, i cili e ka njoftuar sekretarin britanik, Alen Dankan, që në mbledhjen e sotme të kryesisë do të diskutohet për mundësitë dhe opsionet e BDI-së, të cilat u morën parasysh pas rezultatit zgjedhor, përfshirë edhe mundësinë e mbetjes së partisë në opozitë. 
 
Sekretari shtetëror i Britanisë, Alan Dankan, po qëndron për vizitë dyditore në Maqedoni, ndërkohë që vizitën e tij të parë e realizoi me kreun e VMRO-së, Nikolla Gruevskin. Pas këtij takimi nuk dhanë deklarata, pasi për të gjitha bisedat thanë se do të informojnë në pres-konferencën në fund të takimeve të sotme. Takime pati edhe me përfaqësuesit e lartë të LSDM-së.
 
Nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska, ka deklaruar se në Maqedoni është ndezur drita e perspektivës për qytetarët. Sipas Sheqerinskës, u tregua që propaganda për federalizimin apo ridefinimin e shtetit ishte gënjeshtër dhe manipulim për opinionin, sepse u gjet zgjidhje në kuadër të Kushtetutës.
 
Pritet që Dankan gjatë ditës të realizojë takim edhe me liderin e “Aleancës për shqiptarët”, si dhe me presidentin Ivanov dhe me përfaqësuesit e PPS-së dhe sektorit civil.