Botë

Përmbytjet, Serbia shpall gjendje të jashtëzakonshme

16.05.2014 17:51

Qeveria serbe shpalli gjendje të të jashtëzakonshme në të gjithë vendin për shkak të përmbytjeve të ditëve të fundit...

Qeveria serbe shpalli gjendje të  të jashtëzakonshme në të gjithë vendin për shkak të përmbytjeve të ditëve të fundit. Fillimisht gjendja e jashtëzakonshme u shpall në vetëm 16 komuna por më pas kryeministri e shpalli atë për të gjithë vendin.

Sot është shënuar zyrtarisht edhe viktima e parë nga përmbytjet, në kryeqytetin Beograd. Sipas autoriteteve, vetëm në Beograd ka rënë 55 litra ujë në një metër katror, që është sa edhe mesatare mujore e reshjeve.Shtabi serb për situata të jashtëzakonshme po shqyrton  situatën të shkaktuar nga rreshjet e rrëmbyeshme të shiut.

Qeveria urdhëroi Drejtorinë e Rezervave të mallrave, që të fillojnë të shpërndajnë në zonat më të prekura nga përmbytjet, nga një ton misër si ushqim.

Transporti hekurudhor ka  pushuar sot përkohësisht ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje që të mos përdorin automjetet e tyre për shkak të ujit nëpër rrugë. Edhe shkollat do të qëndrojnë të mbyllura për një kohë të pacaktuar, derisa situata të normalizohet. Në disa qarqe si Kollubarski dhe Macvanski, ka nisur evakuiimi i banorëve ndërsa e përmbytur tani është edhe një pjesë e magjistrales së Ibrit.

Qeveria, përmes një letre dërguar qeverisë ruse, Komisionit Europian dhe qeverisë sllovene, i ka kërkuar ndihmë humanitare dhe teknike pas pasojave rrënuese që kanë lënë pas përmbytjet.

Kjo është katastrofa më e madhe natyrore që mbaj mend nga historia e Serbisë, theksoi në fjalën e tij, kryeministri Aleksandër Vucic, i cili po përballet me emergjencën e parë në krye të qeverisë.

Ai i bëri thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e largëta, të qëndrojnë në shtëpi dhe të ndjekin me përpikmëri të gjitha udhëzimet e dhëna nga qeveria dhe autoritetet përkatëse.