Maqedoni
Fëmijët me aftësi të kufizuara, MPPS: Kemi marrë masa të shumta, 32 qendra ditore
24.02.2017 16:44
Maqedonia bën përpjekje për integrimin e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri, si dhe për inkuadrimin e fëmijëve me pengesa, çerdhe dhe shkolla...

Nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale thonë se për fëmijët e kësaj kategorie ka hapur dhe 32 qendra ditore në mbarë vendin.
“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka vendosur masa të shumta për të ndihmuar personat me pengesa në zhvillim, 32 qendra ditore, ku rreth 500 fëmijë kalojnë ditën së bashku. Kemi rritur të ardhurat shtesë për 25 për qind për 7261 persona dhe për 180 fëmijë me autizëm”,- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
“Qëllimi ynë është të punojmë bashkërisht e jo të ndarë dhe para së gjithash të gjejmë mënyrën se si këta persona të integrohen tërësisht në shoqëri, pavarësisht pengesave që i kanë, ne si qytetarë të ndershëm duhet t’ua plotësojmë të drejtat e tyre që u takojnë”,- theksoi Elspeth Erickson nga UNICEF.
“Gëzohem që në Maqedoni po bëhen iniciativa në drejtim të integrimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara, që të mos jenë të diskriminuar në shoqëri, sidomos aktivitet për kyçjen e këtyre fëmijëve në arsim”,- tha anëtari në Forumin europian për aftësi të kufizuara, John Patrick Clarke.
Por, edhe përkundër fjalëve të mira që u thanë sot në seminarin kushtuar fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe respektimit të konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të tyre, Avokati i Popullit thotë se Maqedonia nuk investon mjaftueshëm për krijimin e kushteve për personat me pengesa në zhvillim.
“Për fat të keq, hulumtimet e mia tregojnë se RM pamjaftueshëm derdh mjete për të krijuar kushte që kjo kategori e fëmijëve të mund t’i realizojë pa kurrfarë pengese të drejtat dhe liritë e tyre, qoftë në qasje të arsimit, shëndetësisë etj. Për këtë do të kisha dashur që më tepër të ndahen mjete për krijimin e kushteve reale që pamundësinë që e kanë, institucionet t’ua mundësojnë që të ndjehen si të gjithë të tjerët për të marrë shërbime të ndryshme”,- u shpreh avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Seminari u organizua në suaza të projektit "Mbrojtje e fëmijëve nga dhuna dhe avancim në kyçjen sociale të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi", financuar nga BE-ja, UNICEF-i, së bashku me Forumin europian për personat me aftësi të kufizuara.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
