Maqedoni

Protesta kundër EVN-së në Shkup, protestuesit: faturat më të larta se të ardhurat

24.02.2017 17:28

Qytetarët ankohen se përmbaruesit ua bllokojnë llogaritë e tyre në emër të Kompanisë energjetike EVN, për shkak të faturave të papaguara...

Në një protestë në Shkup, qytetarët kërkojnë që EVN të tërheqë ankesat dhe përmbaruesit t’u lirojnë xhirollogaritë.
 
Ata thonë se nuk mund t’i përballojnë faturat e larta të energjisë, që marrin shumën më të madhe të të hollave të tyre mujore. 
 
“Jam duke pranuar fatura prej EVN-së prej 2003, 2004, 2006, mirëpo më ka ardhur që  duhet t’i  paguajmë shtetit, tani momentalisht jam duke paguar në 10 këste, ku të ankohem, ku të shkojmë, edhe ne nuk e dimë. Marr ndihmë sociale 1800 den. Me zor më kanë çuar të paguaj 20 këste, 10 këste i kam paguar nga 2000 denarë, 10 i kam paguar edhe 10 më kanë mbetur”,- tha një qytetar.  
 
“Harxhimet janë shumë të pakta, ndërsa llogaria vjen më tepër, d.m.th. më shumë të holla japim për EVN-në se sa për ushqim dhe mirëmbajtje. Aq çmimet e larta janë, saqë nuk mund t’i përballojmë, dihet se popullata shumica janë me ndihmë sociale, merr një ndihmë prej 2 mijë denarë, ndërsa llogaria vjen 6000 denarë”,- u shpreh një qytetar.  
 
“Më ka ardhur 3000 euro rryma, përmbaruesin 50 mijë denarë e kam paguar, ma kanë ndalë sigurimin e shëndetësi për fëmijët, nuk e di çka të bëj, 9 mijë denarë më ka ardhur rryma, plus edhe 10 mijë kamatë çdo muaj duhet të paguar, kështu ndodh vetëm te ne”,- u shpreh një qytetar. 
 
Edhe organizatorët e protestës thonë se çmimet e tilla janë absurde. Ata kërkojnë  uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe e quajnë të papranueshme atë që EVN thotë se çmimi nuk varet prej tyre, pasi qytetarët faturat i paguajnë në adresë të EVN-së e jo të trupave rregullatorë. 
 
“Për ne e papranueshme është që fatura mujore e rrymës në vendin tonë të jetë dyfish më e lartë se rroga mesatare e një qytetari. Të largohen pagesat shtesë të cilat kjo kompani ua kërkon qytetarëve, faljen e borxheve kategorive të rrezikuara të qytetarëve, qytetarët të cilët kanë borxh dhe të cilët janë të gatshëm të paguajnë medoemos t’ju hiqen kamatat”,- tha anëtari i Këshillit organizativ të protestave, Arian Thaçi.
 
Protestuesit i kanë dhënë EVN-së dhjetë ditë afat t’u japë përgjigje për kërkesat e tyre, e nëse nuk i marrin përgjigjet e pritura, thonë se do të vazhdojnë protestat.
 
Nga EVN ripërsërisin se tashmë kanë dhënë përgjigje për kërkesat e qytetarëve të Tetovës dhe në takimin me përfaqësuesit e  Këshillit të qytetarëve u sqaruan të gjitha pyetjet e hapura, me informata shtesë për çështjet që nuk janë në kompetencë të EVN-së, si çmimi, tarifa, liberalizimi etj.
 
Edhe protestuesve në Shkup do t’u dorëzohet përgjigja adekuate, thonë nga EVN. 
 
GAZMEND KURTISHI