Maqedoni
Lëvizja “Besa” dhe “Aleanca për shqiptarët”: po e mbështeti deklaratën e përbashkët, po LSDM-së
24.02.2017 18:17
Lëvizja “Besa” dhe LR-PDSh mbeten në qëndrimet e tyre për krijimin e një shumice të re parlamentare me LSDM-në...

Lëvizja “Besa” dhe LR-PDSh mbeten në qëndrimet e tyre për krijimin e një shumice të re parlamentare me LSDM-në, nëse kjo e fundit pranon platformën e subjekteve politike shqiptare.
Bisedimet midis BDI-së dhe LSDM-së nga Lëvizjen “Besa” i cilësojnë si çështje të tyre ndërpartiake, por në momentin që do të marrin ofertë nga LSDM për bashkëqeverisje, thonë se do të dalin me qëndrimin e tyre.
Edhe nga LR-PDSh, e cila vepron në kuadër të “Aleancës për shqiptarët”, thonë se në fundjavë Kuvendi qendror i partisë do të miratojë vendime për hapat e mëtejmë në këtë drejtim.
“E kemi thënë edhe më herët, jemi të gatshëm ta mbështesim LSDM-në që të krijojë shumicën parlamentare nëse ajo e mbështet platformën shqiptare. Më lejoni që të them që bisedimet aktualisht që zhvillohen ndërmjet BDI-së dhe LSDM-së janë çështje e tyre ndërpartiake. Në momentin kur deri te Lëvizja “Besa” do të arrijë një ofertë për bashkëqeverisje, atëherë ne do të ulemi dhe do të vendosim për atë, mirëpo paraprakisht duhet të ketë një mandatar për qeverinë e ardhshme”,- deklaroi zëdhënësi i Lëvizjes “Besa”, Orhan Murtezani.
“Ne ishim parimisht se nuk ulemi me VMRO-në, do të përkrahim një qeveri e cila do të ishte e formuar prej LSDM-së. Tani erdhi momenti kur LSDM-ja, sipas të gjitha gjasave, këto ditë pritet që t’i marrë nënshkrimet prej BDI-së, me siguri edhe ne do t’ia japim nënshkrimet, por për hapat e mëtejmë në formim të qeverisë do të ulemi të bisedojmë, se patjetër Kuvendi qendror t’i sjell konkluzat dhe qëndrimet definitive se si të merren hapat e mëtejmë”,- tha Arben Taravari nga “Aleanca për shqiptarët”.
Ditë më parë, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, deklaroi se me BDI-në janë tejkaluar dallimet dhe se brenda një afati të shkurtë do të formohet qeveria e re.
BDI-ja, të mërkurën, i dha dritë jeshile Ligjit të ri për gjuhën shqipe, ndërkaq në përgatitjen e draft-ligjit, përveç BDI-së, LR-PDSh-së dhe LSDM-së kanë marrë pjesë edhe ekspertë të kushtetutës.
NAIM RAMADANI
