Maqedoni
BDI vazhdon mbledhjen e kryesisë, shqyrtohet edhe opsioni i mbetjes në opozitë
24.02.2017 18:28
Ende asnjë vendim nga mbledhja e Kryesisë qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila po analizon dy opsione...

Ende asnjë vendim nga mbledhja e Kryesisë qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila po analizon dy opsione, nëse do të përkrahë një qeveri të pakicës, ose të marrë pjesë në qeverinë e ardhshme të Maqedonisë. Lideri i BDI-së, Ahmeti, pohoi se po diskutohet opsioni i mbetjes në opozitë.
“Shqyrtojmë opsionin të ngelemi në opozitë”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, thotë se nuk pritet një vendim nga kjo mbledhje. Sipas tij, pas arritjes së draft-ligjit për gjuhën shqipe është hapur diskutimi i opsioneve të tjera dhe më së voni deri të hënën kryesia qendrore e BDI-së do të sjellë një vendim.
Osmani ka sqaruar se edhe pse Ligji për gjuhën mori dritë jeshile të mërkurën, ende diskutohen dy mënyrat se si ai do të realizohet.
“Mbeten dy mënyra për t’u realizuar ai ligj, nën një: duke qenë në qeveri në koalicion, dhe nën dy: duke qenë në opozitë, duke i dhënë mbështetje këtij ligji dhe duke i dhënë mbështetje edhe një qeverie eventuale të pakicës. Tash po argumentohet për këto dy opsione, çështja e gjuhës mbetet kryesore pa të cilën nuk mund të tejkalohet, por format për të realizuar janë dy mënyra, ajo është në opozitë dhe pozitë, përparësi e të qenit në opozitë është se edhe ligjin do ta kalojmë, por edhe do t’u japim mundësi të rishqyrtohen dhe të zbardhen të gjitha dyshimet dhe akuzat që kanë qenë ndaj BDI-së. Kryesia qendrore po diskuton në këto dy parime, nuk besoj se do arrijmë sot të përfundojmë këtë debat, sigurisht që do vazhdojmë edhe ditëve në vijim. Është normë e provuar në të gjitha vendet europiane ku formohet qeveri, qeveri e ashtuquajtur qeveri e pakicës, ku numrat e deputetëve janë për ta votuar qeverinë, mirëpo nuk marrin pjesë në qeveri”,- deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
I pyetur se në këto bisedime a bisedohet për një kualicionim eventual me VMRO-në, zëdhënësi i BDI-së është përgjigjur shkurt, se një gjë e tillë nuk po bisedohet, ndërsa edhe një herë konfirmoi se BDI-ja do të përkrahë Prokurorinë Publike Speciale.
VISAR SADIKI
