Maqedoni
Standardi “Hallall”, subvencione për kompanitë që e implementojnë
24.02.2017 18:37
Standardi “Hallall” është sinonim i ushqimit të shëndetshëm dhe një trend që është në rritje në të gjithë globin...

Nga Bashkësia Fetare Islame kërkojnë që të gjitha kompanitë në vend të implementojnë këtë standard në prodhimet e tyre ushqimore.
“I bëj apel popullatës sonë, tek myslimanët tanë, te biznesmenët tanë, tek ata që kanë kompani, t’i afrohen agjencisë dhe të jenë pjesë e saj, se përndryshe kjo ka peshën ndërkombëtare botërore, ne kemi pranuar të ballafaqohemi me këtë punë dhe ka marrë një jehonë jashtëzakonisht pozitive”,- deklaroi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
“Sot në përmasa botërore, tregu me artikuj ushqimorë, të cilët kanë implementuar certifikatën “Hallall”, vlen diku rreth 1 trilion dollarë, derisa sektorët e tjerë, si kozmetika, turizmi dhe financat gjithsej kapin shifrat prej 3 miliard dollarësh”,- tha Murat Sajin nga Instituti ndërkombëtar për standardin “Hallall”.
Ministria e Ekonomisë për këtë vit ka siguruar 1,4 milion denarë, me të cilat do të subvencionohen kompanitë për zbatimin dhe certifikimin e sistemit “Hallall”.
“Ministria e Ekonomisë, duke njohur rëndësinë e zbatimit të standardeve të cilësisë për subjektet e biznesit, për të siguruar mbështetje të vazhdueshme për ekonominë dhe kompanitë, për të pestin vit radhazi realizon masën - mbështetje financiare për standardin- “Hallall”, në kuadër të programit për konkurrencë, inovacione dhe sipërmarrësi. Jam veçanërisht i kënaqur që disa nga kompanitë që kanë përfituar nga kjo masë janë të pranishme sot këtu me përvojat e tyre të funksionimit të tregut të madh “Hallall””,- u shpreh ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
Me këtë rast u ndanë mirënjohje për pesë kompanitë e para që kanë implementuar standardin “Hallall”, gjithashtu edhe certifikata për ato që kanë qenë pjesë e konferencës.
ERSAN PAJAZITI
