Maqedoni
Dankan: Britania e interesuar për Maqedoni stabile; Ivanov: fqinjët po përzihen në punët tona; BDI: ka shumë sfida, do të luajmë rol konstruktiv; VMRO-DPMNE: qeveri jolegjitime, nëse BDI merr pjesë; LSDM: po hapet perspektiva për Maqedoninë
24.02.2017 18:49
Britania e Madhe është e interesuar për një Maqedoni stabile, e cila do të përmbush qëllimet afatgjata me interes të ndërsjellë...

Tejkalimi i krizës dhe formimi i qeverisë së re është çështje që u takon partive politike, ka deklaruar ministri i Shtetit për Evropën dhe Amerikën i Britanisë së Madhe, Alan Dankan, gjatë takimit me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe krerët e partive politike parlamentare.
Në takimin me presidentin, Gjorge Ivanov, ky i fundit ka shprehur pakënaqësi nga mungesa e dënimit publik të përzierjes në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë nga ana e disa vendeve fqinje.
Në lidhje me NATO-n, Ivanov shprehu dëshpërim për shkak të standardeve të dyfishuara, mosrespektimin e gjykimit të Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë dhe qeverisjes së të drejtës në rastin me Maqedoninë, ndërsa në lidhje me Bashkimin Europian bëri thirrje në zhbllokimin e procesit të zgjerimit, i cili e mobilizon dhe reformon shoqërinë.
Ministri britanez ka thekuar se Mbretëria e Bashkuar nuk dëshiron të përzihet në punët e brendshme të shtetit.
“Ai shprehu mirëkuptim për revoltën e arsyeshme nga statusi kuo në lidhje me integrimet europiane dhe euroatlantike, dhe tregoi se do ta mbështesin Republikën e Maqedonisë në këtë plan”,- thuhet në kumtesën e Presidencës.
Edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin me ministrin Dankan ka kërkuar mbështetjen e Londrës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
“Rrumbullakimi i Marrëveshjes së Ohrit, sundimi i së drejtës si dhe integrimi euroatlantik janë parakushte për stabilitet dhe siguri në vend dhe kërkoi përkrahjen e Londrës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”,- thuhet në kumtesën e BDI-së, duke shtuar se vendin e presin shumë sfida dhe se BDI do të luajë rol konstruktiv.
Sa i takon vendimit të partisë për të qenë në pushtet ose opozitë, Ahmeti ka thënë se gjatë marrjes së vendimit të tij do të ketë parasysh vullnetin e elektoratit të BDI-së, shqiptarëve, por edhe pritshmëritë e qytetarëve dhe miqve ndërkombëtarë.
Mirëpo VMRO-DPMNE ka njoftuar ministrin britanik se qeveria nuk do të jetë legjitime nëse BDI vendos të bëhet pjesë e saj.
“VMRO vuri në dukje se në shoqërinë tonë ajo shihet si qeveri jolegjitime për shkak të shkeljes së parimit “fituesi me fituesin”, posaçërisht që BDI përmes këtij koalicioni dëshiron të vë në funksion ligj antikushtetues për përdorimin e gjuhës shqipe”,- thuhet në kumtesën e VMRO-së.
Optimizëm në LSDM. “Po hapen perspektiva të ndritura për Maqedoninë dhe qytetarët me ndryshimet demokratike që po ndodhin dhe sjellin qeveri të re demokratike”, – kumtohet të ketë thënë zëvendëskryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, gjatë takimit me ministrin britanik, Alan Dankan.
SHPËTIM NUREDINI
