Shpallja e zgjedhjeve lokale, Jakupi: 5 marsi afati i fundit

26.02.2017 14:18

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve rikujton aktorët politik....

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve rikujton aktorët politik të vendit se u mbeten edhe një javë deri më 5 mars të formojnë qeveri, mbledhin kuvendin me qëllim që të shpallin zgjedhjet e parakohshme në përputhje me kodin zgjedhor.

Anëtari i KSHZ-së Subhi Jakupi thotë se sipas kodit zgjedhor, zgjedhjet duhet të mbahen më 14 maj, ndërsa duhet të shpallen 70 ditë para kësaj date.

Neni 12 i kodit zgjedhor është decid, ku potencon se kryetari i parlamentit duhet ti shpallë zgjedhjet lokale për zgjedhje të këshillave komunal dhe kryetarëve të komunave në afat më së paku 70 ditë para datës të përcaktuar nga vetë kryetari i parlamentit  për mbajtjen e zgjedhjeve. Dhe nëse bëjmë një analizë të kësaj do të duhet që me 5 mars të shpallen zgjedhjet për mbajtjen apo organizimin e zgjedhjeve që duhet të mbahen diku 14 maj. E gjithë kjo është çështje legjislative që rregullon, por ngelet ana politike që duhet të ndërmarrin parlamenti apo kryetari iparlamentit për çështjen e zbatimit të kësaj norme.” – tha anëtari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.

SHKELJA E AFATEVE KOHORE, JAKUPI: OPSIONI TJETËR, SHTYERJA E ZGJEDHJEVE

Nga KSHZ thonë se deri më 5 mars partitë kanë kohë të mjaftueshme të formojnë shumicën e re parlamentare, të zgjedhin kreun e ri të Kuvendit i cili më pas do të thërret edhe zgjedhjet lokale të 14 majit. Por nëse edhe ky afat shkelet dhe deri të dielën e ardhshme nuk sillet një vendim, atëherë opsioni i tjetër është shtyerja e zgjedhjeve. Kuvendi duhet të hapë kodin zgjedhorë dhe të intervenojë me ndryshime të reja për shtyrjen e zgjedhjeve.

“Ne kemi pasur një praktikë në vitin 2004 ku janë prolonguar zgjedhjet lokale për gjashtë muaj dhe u mbajtën në mars të vitit 2005. Gjithashtu para dy vjetëve u bë një ndryshim i kodit zgjedhor ku në vend të muajit mars zgjedhjet lokale u mbajtën në pjesën e parë të muajit maj, kemi një prolongim prej dy muajve dhe do të ngel e gjithë kjo në diskutimet politike që do të duhet parlamenti të hap diskutim në lidhje me këtë.” – deklaroi  anëtari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.

Nga KSHZ thonë se në rast se formohet qeveri e re, KSHZ është e gatshme të realizojë zgjedhjet brenda afatit 70 ditor të paraparë me ligj. (Meral Ismaili, TVM2)