Maqedoni

Mblidhet këshilli i Gostivarit, RDK bojkoton

16.05.2014 18:39

Seanca e dhjetë e këshillit të komunës së Gostivarit, sot u mbajtë në mungesë të nëntë këshilltarëve të Rilindjes Demokratike Kombëtare...

Seanca e dhjetë e këshillit të komunës së Gostivarit, sot u mbajtë në mungesë të nëntë këshilltarëve të Rilindjes Demokratike Kombëtare, të cilët pa paralajmërim kanë bojkotuar seancën e Këshillit në të cilën mes tjerash u debatua për Ditën e re të Komunes.
 
Lidhur me mospjesëmarrjen e tyre, kryetari i Komunës se Gostivarit, Nevzat Bejta shprehu keqardhje për këtë akt, duke theksuar se me këtë vendim ato shkelin vullnetin e Demokracisë dhe përbuzet vullneti i votuesve të komunës së Gostivarit, me c’rast ftoi këshilltarët e Rilindjes Demokratike Kombëtare që të rikthehen në punën e Këshillit komunal.
 
“Me vjen keq që sot një pjesë e këshilltarëve të opozitës nuk janë dhe me këtë i thyejnë parimet e demokracisë. Njoftoj opinionin dhe qytetarët e Gostivarit se këshilltarët e RDK-së, në heshtje kanë ikur pasi ata pësuan një humbje shumë të madhe nga qytetarët e komunës së Gostivarit dhe në përgjithësi në Njësinë Zgjedhore 6-të.  Me 27 Prill nuk ishin zgjedhje lokale, ishin zgjedhje parlamentare për të zgjedhur deputetet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Ata i kanë ngatërruar punët dhe këshilltarët në heshtje kanë ikur dhe shkelin votën e qytetarët të komunës së Gostivarit që ua kanë dhënë. Ne i ftojmë që ata të kthehen si opozitë, të respektojnë votën e lirë të qytetarëve të Gostivarit dhe nëse do e respektojnë votën e lirë të qytetarëveatëherë ata si këshilltarë të opozitës do japin kontribut e vet që qytetarët dhe qyteti i Gostivarit të shkoje përpara, por jo të veprojnë sipas dëshirës së vete, duke i nënçmuar dhe përbuzur votuesit e qytetit të Gostivarit. Kjo nuk është mirë për demokracinë dhe nuk është mirë për qytetarët e Gostivarit. Prandaj, unë si kryetar i komunës së Gostivarit i ftoj ata që në seancat tjera të radhës të vijnë dhe të jenë pjesë përbërëse e këshilltarëve dhe të japin kontribut në interes të gjithëve qytetarëve të komunës së Gostivarit”, shprehet kryetari i komunës së Gostivarit.
 
Edhe përskaj bojkotit të këshilltarëve të RDK-së, senca sot vazhdoi normalisht të vijojë punën duke votuar të gjitha pikat e rendit të ditës, ndërsa nga RDK-ja, deri më tani, nuk është paralajmëruar ndonjë konferencë ose sqarim për këtë akt.
 
LULZIM HAZIRI