Maqedoni
Zaev kërkon mandatin nga presidenti
27.02.2017 12:37
Sot pritet që kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, të kërkojë nga presidenti, Gjorgji Ivanov...

Sot pritet që kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, të kërkojë nga presidenti, Gjorgji Ivanov, mandatin për formimin e koalicionit të ri qeveritar, pasi ka përmbushur tanimë kushtin e vendosur nga Ivanov për të krijuar shumicë parlamentare. LSDM ka siguruar mbështetjen e 67 deputetëve për mandatarin, Zoran Zaev, njofton “Flaka”.
Ky veprim vjen pasi partitë shqiptare, BDI, Aleanca dhe Besa, i depunuan nënshkrimet me shkrim për krijimin e shumicës parlamentare. Pas dështimit të negociatave ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, presidenti, Gjorgji Ivanov, ftoi në një takim liderët e të gjitha partive parlamentare dhe i njoftoi ata se mandatin për formimin e Qeverisë do t’ia ndajë partisë ose koalicionit që do të sigurojë shumicë në Kuvend.
Bazuar në reagimin e Gruevskit, por edhe deklarimet e mëparshme të presidentit, mund të ndodhë që ai të mos ia japë mandatin Zaevit. Presidenti ka thënë se nga ai do të kërkonte edhe programin qeveritar, kërkesë që është në kundërshtim me kushtetutën, pasi programi dhe përbërja e qeverisë prezantohen dhe miratohen vetëm në Kuvend.
