Botë
Trump me urdhër të ri për migrimin, më 1 mars
27.02.2017 13:12
Agjencia e lajmeve “Associated Press” raporton se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të nënshkruajë urdhrin e ri ekzekutiv për refugjatët dhe migrantët më 1 mars...

AP citoi një zyrtar të lartë të administratës, i cili insistoi të mbetet anonim. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, ka thënë se presidenti, i cili është dashur të nënshkruajë urdhrin javën e kaluar, e ka shtyrë, pasi ka dashur që ai të jetë i përsosur.
Urdhri i parë ka shkaktuar konfuzion në aeroportet në gjithë botën dhe protesta në ShBA dhe jashtë. Urdhri u ka ndaluar hyrjen në ShBA, për 90 ditë, qytetarëve të shtatë vendeve me shumicë myslimane, ka pezulluar pranimin e të gjithë refugjatëve për 120 ditë dhe ka ndaluar hyrjen, për kohë të pacaktuar, të refugjatëve nga Siria.
Urdhri është ndërprerë nga një gjykatës federal i ShBA-së, por Trump është zotuar se do të shkruajë një urdhër të ri, i cili do të pranohet nga gjykatat. Ai ka thënë se goditja e migracionit është e nevojshme për të parandaluar terroristët potencialë nga hyrja në ShBA.
