Botë

Befasues deri në minutën e fundit, Oscarin e fiton filmi “Moonlight”

27.02.2017 13:32

Ceremonia e organizuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave në ShBA, u përfshi nga kaosi, kur prezantuesja, Faye Dunaway...

Ceremonia e organizuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave në ShBA, u përfshi nga kaosi, kur prezantuesja, Faye Dunaway, gabimisht njoftoi se “La La Land” e ka fituar çmimin kryesor.

Pasi aktorët dhe ekipi i filmit pranuan çmimin, u dha njoftimi se “Moonlight” ka fituar në të vërtetë. Prezantuesi tjetër i ceremonisë në Los Angjeles, Warren Beatty, bëri pauzë para se të lexonte emrin e fituesit të madh.

Ai tha më vonë se ka hezituar kur ka parë zarfin që lexonte emrin e aktores më të mirë, Emma Stone, nga “La La Land”, por që u mor dhe u lexua gabimisht nga kolegia e tij.

“Nuk është shaka. Moonlight ka fituar”,- tha Beatty, duke treguar zarfin.

Filmi “Moonlight” trajton rritjen e një djali, duke kaluar një fëmijëri të rëndë në Majami, me një nënë të varur nga droga.

“La La Land”, një muzikal, i nominuar për 14 Oscare, fitoi gjashtë, përfshirë çmimin për aktoren më të mirë dhe regjinë më të mirë.

Përpara përfundimit kaotik, ceremonia u zhvillua normalisht, edhe pse ka pasur deklarata politike dhe kritika ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, përfshirë sulme për politikat e tij të imigrimit.

Një prej deklaratave më të fuqishme erdhi prej regjisorit iranian, Asghar Farhadi, filmi i të cilit “The Salesman” fitoi Oscar në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj. Farhadi bojkotoi ceremoninë në shenjë proteste ndaj përpjekjeve të Trumpit për të goditur imigrantët.

Filmi i tij “The Salesman” është një dramë, e bazuar në Teheran, që flet për luftën e një çifti të martuar, pasi gruaja është sulmuar në apartament, derisa ishte vetëm.

Me magjepsjen që na shkaktoi La La Land, edhe në kategorinë e aktorit më të mirë, do prisnim fitues Ryan Gosling, por nuk ndodhi kështu. Akademia nuk nderoi me Oscar as kandidatin tjetër të fortë për këtë çmim, të vlerësuar si pretendent nga kritika, Denzel Uashington.

Aktori më i mirë i vitit u zgjodh Casey Affleck. Ai luante rolin kryesor në filmin Manchester by the Sea, i cili fitoi edhe çmimin e skenarit më të mirë. Po, ndërkohë, nuk ka gabime në atë që pritej të ishte aktorja më e mirë. Ajo është Emma Stone për rolin e Mias në filmin La La Land.

Oscarin për aktorin më të mirë mbështetës e mori Mahershala Ali në filmin “Moonlight”, ndërsa të aktores më të mirë mbështetëse e mori Viola Davis në filmin “Fences”.

Filmi dokumentar më i mirë - OJ: “Made in America”, Filmi dokumentar me metrazh të shkurtër më i mirë “The White Helmets”, Filmi më i mirë i shkurtër pa montazh – “Sing”, Filmi më i mirë vizatimor u shpall “Zootopia”, Filmi më i mirë vizatimor i shkurtër - “Piper”.