Fushata "Ndihmë për Alepon", java e solidaritetit me fëmijët refugjatë
Shoqata e qytetarëve “Legis” dhe Ambasada e parë për fëmijët në botë “Megjashi”....

Shoqata e qytetarëve “Legis” dhe Ambasada e parë për fëmijët në botë “Megjashi”, filluan shënimin e Javës së solidaritetit me fëmijët refugjatë nga Siria, në kuadër të fushatës "Ndihmë për Alepon".
Fushata ka për qëllim ndihmën e refugjatëve, të cilët janë të vendosur në kampet në zonën kufitare mes Turqisë dhe Sirisë. Nga shoqata “Legis” thonë se në botë akoma ekziston numër i madh i refugjatëve të cilët kërkojnë solidarizimin e të gjithëve.
“Qëllimi është që me këtë aksion humanitar t’u ndihmojmë familjeve të evakuuara, t’u ndihmojmë fëmijëve nga Alepo, që janë mbi 50 mijë banorë, në kampet e kufirit të Turqisë dhe në Turqi. Do të vendosen kuti në disa vende të qytetit ku njerëzit mund të dhurojnë”,- deklaroi Jasmin Rexhepi nga Shoqata qytetare “Legis”.
“Në drejtimin e arsimimit kemi botuar broshurën “Ne jemi të gjithë fëmijët e kësaj bote", e projektuar për mësuesit maqedonas dhe shqiptar. Kjo broshurë është në dispozicion në ueb faqen tonë. Të diskutohet për fëmijët refugjatë dhe nevojat e tyre të paktën një orë gjatë mësimdhënies. Qytetarët e Maqedonisë duhet të jenë në dijeni të situatës në të cilën janë fëmijët në Siri”,- u shpreh kryetari i Ambasadës së parë të fëmijëve “Megjashi”, Dragi Zmijanac.
Nga Shoqata “Legis” thonë se për momentin në Maqedoni ka rreth 130 refugjatë nga Siria, rreth pesëdhjetë në Tabanoc dhe Gjevgjeli, të tjerët janë në Vizbeg dhe në Shkup.
Këtyre refugjatëve kjo shoqatë po mundohet t’u ndihmojë me veshmbathje dhe ushqim. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
