Maqedoni

Krimi i organizuar dhe korrupsioni, Maqedonia përforcon kapacitetet me ndihmën e BE-së

27.02.2017 16:40

Me projektin e financuar nga BE dhe Këshilli i Eruopës, Maqedonia do të përforcojë kapacitetet e saj institucionale në luftën kundër krimit ekonomik, pastrimit të parave dhe terrorizmit...

Projekti peshon 1 milion e 350 mijë euro. Ministri i Financave, Kirill Minoski, tha se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një ndër prioritetet e Maqedonisë si vend kandidat për anëtarësim në BE.
 
“Maqedonia është një ndër vendet e cila ka bërë vlerësimin e rrezikut nga pastrimi i parave dhe financimit të terrorizmit në nivel kombëtar. Në këtë aktivitet ku pjesëmarrës ishin të gjitha institucionet relevante të sistemit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit të koordinuara nga Drejtoria për zbulim financiar, u përgatit dhe u miratua raport për vlerësim kombëtar të rreziqeve”,- theksoi ministri i Financave, Kirill Minoski.
 
Shefi i delegacionit të BE-së, Jaromir Leviçek, potencoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave është tejet i rëndësishëm në rajon si dhe një ndër kërkesat kyçe për anëtarësim në BE.
 
“Zhvillimi i shpejtë i tregjeve mundëson qarkullim të shpejtë të parave, me çka pastrimi i parave bëhet më i komplikuar. Që të kemi sukses për parandalimin e këtij fenomeni do të duhet bashkërisht të punojmë. Andaj nisëm projektin dhe do të mbështesim përpjekjet tuaja në këtë fushë”,- tha shefi i delegacionit të BE-së, Jaromir Leviçek.
 
Koordinatorja e programit në Këshillin e Europës, Monika Martinez, tha se Maqedonia ka shënuar përparime në këtë fushë, por aktivitetet duhet të vazhdojnë.
 
“Përpos vlerësimit të rreziqeve, është përmirësuar edhe korniza ligjore, përfshirë këtu edhe amendamentet për kodin penal. Megjithatë, mbetet edhe shumë punë. Sikurse Këshilli i Europës, por edhe BE-ja, janë të gatshëm të mbështesin këtë projekt”,- u shpreh Monika Martinez nga Këshilli i Europës.
 
Drejtorja e Drejtorisë për Zbulime Financiare, Angella Atanasova, konsideron se mund të kontribuohet në rregullimin e kornizës ligjore në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke i dhënë mbështetje Drejtorisë që ajo drejton, Policisë financiare, Ministrive të Drejtësisë dhe për Punë të Brendshme si dhe kompanive të sektorit të financave.
 
MERAL ISMAILI