Maqedoni
Rrogat në firmat e huaja, Peter: Vendim individual i kompanive
27.02.2017 16:59
Kriza politike nuk ka pasur ndikim tek investimet e huaja...

Edhe përskaj situatës së ndërlikuar politike, kompanitë e huaja numërojnë rreth 50 mijë të punësuar dhe asnjëra prej tyre nuk është tërhequr prej Maqedonisë, janë lavdëruar sot nga Këshilli i investitorëve të huaj. Por, ata nuk kishin një përgjigje të saktë se përse rrogat e të punësuarve në firmat që operojnë në zonat e lira ekonomike janë në nivelin minimal. Nga ky këshill thonë se rrogat janë vendim individual i çdo kompanie.
“Është vendim individual i kompanive që të vendosin se a do të japin rrogë minimale më të madhe apo më të vogël. Kur i krahasoni rrogat, atë duhet ta bëni në nivel vjetor. Shumë kompani e paguajnë rrogën e 13 apo 14. Kompanitë tjera u paguajnë shpenzimet e rrugës dhe ushqimin të punësuarve. Kur bëni krahasime duhet ta shikoni të gjithë fotografinë”,- deklaroi kryetari i Këshillit të investitorëve të huaj, Shtefan Peter.
Sipas Peterit, subvencionet që i jep shteti për kompanitë e huaja kanë qenë shumë vendimtare që kompanitë të investojnë në Maqedoni dhe kanë ndikuar në uljen e papunësisë. Si problem themelor investitorët etiketojnë mungesën e kuadrit cilësor.
“Qëllimi ynë është që të punësojmë qytetarë të vendit, por nëse ata nuk janë të arsimuar në mënyrë adekuate, nuk mund të prisni nga ne që t’i punësojmë”,- tha kryetari i Këshillit të investitorëve të huaj, Shtefan Peter.
Për të trajtuar nevojat për ndërtimin e një kuadri cilësor do të mbahet një konferencë. Gjithashtu, Këshilli i investitorëve këtë vit do të organizojë një forum biznesi në Shkup, me qëllim që të thellohet bashkëpunimi me kompanitë vendore dhe të arrihet integrim i kompanive vendore në tregjet ndërkombëtare.
ERSAN PAJAZITI
