Vazhdon greva në hekurudha, grevistët: Njëherë rrogat, pastaj kthim në punë
Nuk ka epilog përfundimtar me grevën e të punësuarve në “Hekurudhat e Maqedonisë”.....

Nuk ka epilog përfundimtar me grevën e të punësuarve në “Hekurudhat e Maqedonisë”. Ata vazhdojnë të mos e kenë në llogarinë e tyre rrogën e janarit.
Të punësuarit vazhdojnë grevën dhe paralajmërojnë se nesër do të vendosin nëse do të radikalizojnë më tej veprimet e tyre duke e nxjerrë protestën në rrugë. Grevistët janë të vendosur, së pari rrogën, më pas të kthehen në punë.
“Muajin janar e kemi punuar në tërësi. Të punësuarit në këtë ndërmarrje për çdo ditë janë në vendet e tyre të punës, por nuk i kryejnë detyrat e punës, sepse pa të holla nuk punojmë më”,- theksoi përfaqësuesi i të punësuarve, Gjoko Ilevski.
“Kam bindjen se e gjithë kjo bëhet me qëllim. Ne jemi të gatshëm të kthehemi në punë atëherë kur do të na japin rrogën e mbetur”,- u shpreh kryetari i Sindikatës së pavarur makinerike të HM-së, Dushko Çakarovski.
Thonë se nëse deri nesër nuk marrin rrogën e janarit, rreth 2.500 të punësuar prej më 1 mars do të mbeten edhe pa sigurim shëndetësor dhe pensional. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve javë më parë lëshoi 390 milionë denarë për të shlyer gjysmën e dytë të rrogës së dhjetorit, por tani nevojiten edhe 90 milionë denarë të tjera, ose 1.5 milionë euro për të shlyer rrogat e janarit.
Drejtuesit e ndërmarrjes ditë më parë thanë se në momentin kur të punësuarit do të fillojnë punën, do të marrin edhe pagën e mbetur, ndërsa këta të fundit mendojnë se ky është mashtrim i bërë edhe në të kaluarën.
Të punësuarit në “Hekurudhat e Maqedonisë” tashmë 13 ditë janë në grevë dhe kërkojnë që rrogat e tyre të mos vonohen si më parë dhe të njëjtat t’i marrin përnjëherë, më së voni deri më datën 15 të muajit.
Tashmë 11 ditë në Maqedoninë nuk qarkullojnë as trenat e udhëtarëve dhe as ato të mallrave. (Rexhep Qamili, TVM2)
