Greva në hekurudha, Misajllovski: Kthehuni në punë dhe t’i merrni rrogat

27.02.2017 17:40

Ministri i Transportit thotë se rrogat do të paguhen....

Ministri i Transportit thotë se rrogat do të paguhen, para në buxhet ka dhe për momentin po kërkohet zgjidhja për pagesën sa më të shpejtë të tyre.

Sipas ministrit Misajllovski, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në buxhetin e saj ka 10 milionë euro në dispozicion për Hekurudhat e Maqedonisë. Por, Misajllovski kërkon që punëtorët njëherë të kthehen në punë, pasi, sipas ligjit, nuk mund të paguhen rrogat për ata që nuk punojnë.

Ai ka akuzuar se janë vetëm 70-80 punëtorë në grevë që pengojnë të gjithë të tjerët të marrin rrogat.

“Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në buxhetin e saj ka 10 milionë euro në dispozicion për “Hekurudhat e Maqedonisë”. Për t’i marrë paratë HM-transport dhe HM-infrastruktura duhet të punojnë. Për shkak të 70 deri 80 personave të cilët e pengojnë punën, nuk ka mundësi Ministria tua ndajë mjetet. Qeveria në seancën e kaluar i ndau 70 milionë denarë shtesë për HM. Kjo do të thotë se në nivel mujor HM-transporti drejtpërdrejt do të marrë më shumë mjete të cilat do t’i sistemojë drejt dy kompanive, por kushti i vetëm është të fillojnë me punë. Ministria nuk ka mënyra ligjore se si t’i paguajë paratë nëse nuk punon dikush. Kjo do të thotë shkelje e buxhetit dhe shfrytëzim i pabazë i mjeteve. Prandaj u bëj thirrje të punësuarve të kthehen në vendet e tyre të punës dhe të fillojnë me punë. Mjete në buxhet ka dhe të gjitha do të paguhen, pasi që janë me dedikim dhe nuk mund të harxhohen për asnjë aktivitet tjetër. Sot pata mundësi për të biseduar edhe me drejtorin e ri të HM - transporti dhe me drejtorin e HM – infrastruktura, me të cilët kemi kërkuar zgjidhje se si më shpejtë të punësuarit t’i marrin të gjitha mjetet e mbetura, por problemi qëndron aty se ata nuk punojnë. HM ka shumë marrëveshje pune me shumë kompani dhe se kanë mundësi për shumë punë, nëse i përpunojnë marrëveshjet do të kenë mjaft mjete në dispozicion, por nëse nuk punojnë, një pjesë e kompanive mund të shtrojnë padi dhe të kërkojnë kompensim, me çka do t’i shkaktojnë dëm ndërmarrjes dhe shtetit”,- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Vllado Misajllovski.