Maqedoni

Provokime në Kumanovë, grafite kërcënuese për deputetin e LSDM-së

27.02.2017 17:48

Provokime të ndryshme kanë përshkruar natën e kaluar në Kumanovë...

Para shtëpisë së deputetit të LSDM-së, Maksim Dimitrievskit, në rrugën “Ristovac” në Kumanovë, në asfalt  janë shkruar grafite provokuese “Makso tradhtar”, “Makso shërbëtor shqiptar”,  “Makso varrtar i Maqedonisë” dhe “Makso a meritoi Kumanova dygjuhësi”.
 
Lidhur me këtë, siç e quan ai, kërcënim nuk deshi të prononcohet, por në profilin e tij në fejsbuk ka shkruar “O njeri, a më njeh bile pak? Të mjerueshme janë përpjekjet tuaja për të manipuluar me opinionin, o kriminelë...”.
 
Po gjatë natës së kaluar ka pasur edhe provokime të tjera. Mësohet për mbi 200 raste shpuarje gomash të veturave me thikë dhe gjësende tjera të mprehta.
 
Ndërkohë që kreu i Kumanovës, Zoran Damjanovski, njoftoi edhe për provokime të tjera.
 
“Shkruhen grafite, ngjiten fletushka nëpër banesa kolektive, nëpër shtëpi e vetura, në përgjithësi provokohet situata edhe ashtu e brishtë në Maqedoni. Shkohet me provokim në ndjenjat etnike. Vlerësoj se kumanovarët do të veprojnë me koka të ftohta dhe nuk do të lejojnë provokime me dallimet etnike, sepse këto nuk përkojnë me ndërtimin e një shoqërie për të gjithë”,- tha kryetari i Kumanovës, Zoran Damjanovski.
 
Zoran Damjanovski gjithashtu apeloi tek qytetarët e Kumanovës që mos të bien pre e provokimeve të këtilla, por të ruajnë gjakftohtësinë dhe karakterin e qytetit multietnik.
 
NEXHAT AQIFI