Maqedoni
Zaev deponon nënshkrimet, pret që Ivanov t’i dorëzojë mandatin
27.02.2017 18:04
Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, ia ka dorëzuar presidentit të republikës listën me nënshkrime të deputetëve që i japin mbështetje për të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re...

Zaev pret që presidenti t’ia ndajë mandatin sa më shpejtë që të jetë e mundur, që të fillojë negociatat për formimin e qeverisë.
“Në dorë kam 67 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, të cilët garantojnë mundësi për qeveri të re për qytetarët e Maqedonisë. Njëkohësisht këto nënshkrime mundësojnë që të përfundojë kriza në RM dhe përfundimisht shteti të ecë përpara në funksion të kthimit të jetës në Maqedoni. Sot, pres që z. Ivanov, të dorëzojë mandatin sa më shpejtë që të jetë e mundur, që të mund të fillojmë bisedime për formimin e qeverisë së re për qytetarët e RM-së. Njëkohësisht e shfrytëzoj mundësinë që të përcjellë mesazhin te qytetarët dhe institucionet e shtetit, se pason transfer i qetë dhe i shpejtë i pushtetit në RM-së”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Paraprakisht, Zaev mori mbështetjen për mandatar nga partnerët e koalicionit parazgjedhor dhe nga partitë shqiptare, përveç PDSh-së.
Edhe VMRO ka ofruar mbështetje të kushtëzuar. Në kumtesën e lëshuar nga selia e VMRO-DPMNE-së thuhet: “nëse LSDM vendos të heq dorë nga platforma nga Tirana dhe hedh poshtë shantazhet joparimore për ridefinim të shtetit, atëherë do të ketë mbështetjen e VMRO-DPMNE-së, edhe pse qytetarët mbështetje më të madhe në zgjedhje i dhanë programit të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit për Maqedoni më të mirë”.
Bashkimi Demokratik për Integrim ia dha mbështetjen kreut të LSDM-së, pasi u dakorduan për projektligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Nuk ka vendim të prerë nëse do të mbështesin qeverinë e pakicës ose do të bëhen pjesë e qeverisë.
Lëvizja BESA e mbështet kreun e LSDM-së për formimin e qeverisë së re, por nuk do ta mbështesë qeverinë e re nëse në radhët e saj propozohen politikanë që janë në konfliktin me ligjin dhe ndiqen nga PPS. “Aleanca për shqiptarët” mbështet Zaevin për mandatar, por këmbëngul në Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare.
SHPËTIM NUREDINI
