Rama: Reforma në drejtësi, reformë mbi reformat, Basha: Liria po kërcënohet nga diktatura e krimit

27.02.2017 18:05

Teksa opozita proteston që prej 10 ditësh në çadrën para Kryeministrisë...

Teksa opozita proteston që prej 10 ditësh në çadrën para Kryeministrisë, kryeministri, Edi Rama, i bën thirrje që ta votojë vetingun, duke deklaruar se ky proces ndan dy bota.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Elbasanit, Rama lëshoi alarmin se pushteti i drejtësisë është në duart e kriminelëve.

“Reforma në drejtësi është reforma e reformave, është ylli polar në rrugën tonë për të bërë shtet. Sepse në fund fare të gjitha problematikat dhe kontestimet e natyrshme brenda për brenda marrëdhënieve tona shoqërore apo marrëdhënieve të individëve jo vetëm me njëri-tjetrin, dhe janë gjykatat ato që mbajnë një shtet në drejtpeshimin e duhur dhe i japin mundësi individit që të nxjerrë më të mirën nga vetja, i papenguar nga padrejtësitë dhe arbitrariteti që lulëzojnë në mungesë të një drejtësie”,- theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Vetingu i prokurorëve dhe gjykatësve, për të ndarë gjykatësit e prokurorët që i kanë të gjitha mundësitë dhe kapacitetet morale, profesionale, qytetare për të shërbyer në funksion të një drejtësie të drejtë, me gjykatës e prokurorë që nuk mund të rrinë asnjë minutë më tepër në pallatin e drejtësisë shqiptare, po të përgjigjen para ligjit”,- shtoi më tej Rama.

Ndërkohë, pak momente më pas lideri demokrat, Lulzim Basha, e akuzoi kryeministrin se po mbron kriminelët të cilët e ndihmuan që të vinte në pushtet. Ai tha se PD nuk tërhiqet nga kërkesa për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

“Sot, liria kërcënohet nga një kryeministër që shkel Kushtetutën për të mbrojtur kriminelët që ka sjellë në pushtet. Refuzon të zbatojë ligjin për dekriminalizimin, Kushtetutën e vendit për të mbështetur shtyllën kryesore të pushtetit të tij, krimi dhe droga, me të cilin ndau pushtetin dhe qëndron në pushtet...  Sot, jemi këtu si pjesë e një vendimi të madh popullor për t'i thënë Edi Ramës se e vetmja mënyrë për të kthyer normalitetin në vend është largimi yt dhe një qeveri teknike që do të garantojë zgjedhje të lira. Rrugë tjetër nuk ka e nuk ka për të pasur”,- u shpreh kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Ndërkohë, kreu i Kuvendit me disa përfaqësues të Komisionit të monitorimit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, tha se miratimi i vetingut është domosdoshmëri. (Luljeta Ndoka, TVM2)