AFET diskuton për Maqedoninë, arrihet kompromis për 28 nga 318 amendamentet
Komiteti për punë të jashtme të Parlamentit Europian (AFET)....

Komiteti për punë të jashtme të Parlamentit Europian (AFET) sot mban shqyrtimin e dytë të propozim-rezolutës për Maqedoninë.
Eurodeputetët në grupin AFET arritën kompromis për 28 amendamente shtesë të tekstit të parë të raportuesit, Ivo Vajgëll, si zëvendësim për 318 amendamentet e dorëzuara, dy të tretat e të cilave nga eurodeputetët grekë dhe bullgarë. Eurodeputetët në Komitetin për punë të jashtme do të debatojnë dhe do të përpiqen që për herë të fundit t'i harmonizojnë qëndrimet për rezolutën e Maqedonisë në Parlamentin Europian, ndërsa nesër do të votojnë për të në kuadër të grupit AFET. Më 14 mars në Strasburg, e gjithë përbërja e Europarlamentit do ta miratojë rezolutën në seancë plenare.
Rezolutat e Europarlamentit nuk kanë veprim juridik, por janë vetëm këshilldhënëse dhe mund të merren parasysh nga institucionet e tjera të BE-së dhe nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Por, marrja parasysh nuk është obligative për asnjë nga institucionet e tjera.
