Botë

Teknologji e re në Belgjikë, mikroçipe në lëkurë për të kontrolluar punonjësit

28.02.2017 16:07

Kompania belge “New Fusion”, ka krijuar një lloj të ri kartelash për të kontrolluar lëvizjen e të punësuarve brenda orarit të punës, përmes disa mikroçipeve të injektuara nën lëkurë...

Nuk është vetëm kontrolli, qëllimi parësor i këtyre mikroçipeve. Ato përdoren gjithashtu edhe si USB, mjafton të shkarkoni të dhënat në llogarinë tuaj në një kompjuter dhe ato automatikisht vendosen në çip, më pas mjafton të kaloni çipin para një lazeri të posaçëm dhe të dhënat barten në një tjetër kompjuter.
 
“Ja ku janë çipat. Do ta vendos një në dorë, e shikoni sa të vegjël janë. Vendoset në pjesën e dorës ku ka më pak nerva”,-  tha Vincent Nys nga “New Fusion”. 
 
“Deri tani kam bërë rreth 450 implante. Ka persona privatë që e përdorin si një USB për të pasur gjithnjë me vete të dhëna të caktuara dhe kompani që e përdorin si mjet kontrolli për respektimin e orarit të punës”,- u shpreh tattoo artisti, Van Oudenaarden.
 
Por, vendosja e çipeve në lëkurë nuk është obligative. Disa preferojnë që ato të vendosen në byzylykë, e jo t’i mbajnë gjithnjë brenda vetes. 
 
“Nuk e di, po nëse shpërthen apo nëse prishet, nuk do ta doja brenda meje”,- theksoi e punësuara në “New Fusionsil Colson”.
 
Ky çip do t’u mundësojë punëdhënësve të dinë në çdo kohë vendndodhjen e të punësuarve në orarin e punës, pa pasur nevojë t’i kërkojnë. Nuk ka nevojë për energji, por aktivizohet nga lazerët e vendosur gjithkund në ambientet e brendshme të kompanive.
 
Nëse punëtori largohet pa leje nga puna, çipi mbetet pasiv për një kohë të gjatë, duke i mundësuar kështu punëdhënësit të ketë në kontroll gjithçka. Por, krijuesit e tij thonë se çipi nuk i shkel të drejtat e njeriut dhe nuk kontrollon lëvizjet e të punësuarve kur dalin jashtë ndërmarrjes.  
 
GAZMEND KURTISHI