Maqedoni
Bushati: Nuk janë punëtorë sezonalë, RM të plotësojë kërkesat legjitime të shqiptarëve
28.02.2017 16:22
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, u është përgjigjur tërthorazi akuzave të autoriteteve maqedonase....

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, u është përgjigjur tërthorazi akuzave të autoriteteve maqedonase, se Shqipëria po ndërhyn në çështjet e brendshme të Maqedonisë.
“Nëse shqiptarët do të ndjehen të margjinalizuar për shkak të jetësimit të politikave që mund t’i konsiderojnë ata si punëtorë sezonalë në trojet e tyre, nëse ne nuk jemi të vëmendshëm që t’u përgjigjemi në kohë kërkesave legjitime të tyre për më shumë dinjitet dhe barazi shoqërore, atëherë rreziqet që i kanosen rajonit tonë mund të çojnë në tjetërsimin e identitetit tonë kombëtar. Shenjat e alarmit për këtë janë dhënë dhe ne jemi të ndërgjegjshëm se këtu bëhet fjalë për të ruajtur e kultivuar atë që kemi tonën, të natyrshmen, të shenjtë, përkundrejt përçudnimeve të importuara e të lehtësuara dhe të përshpejtuara nga mungesa e barazisë, dinjitetit dhe zhvillimit. Ndaj nuk do të rreshtim së theksuari nevojën e zhvillimit të shqiptarëve kudo që ata jetojnë, në respekt të asaj që u takon, për më shumë dinjitet, barazi, më shumë përfshirje në planet e zhvillimit dhe rrjedhimisht më shumë mirëqenie”,- deklaroi ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
