Dalin analizat e 25 lopëve të ngordhura, AUV: Nuk janë as të sëmura e as të helmuara
25 lopët e ngordhura të fermerit Sami Ibishi nuk kanë ngordhur nga ndonjë sëmundje infektive.....

As të sëmura e as të helmuara. 25 lopët e ngordhura të fermerit Sami Ibishi nuk kanë ngordhur nga ndonjë sëmundje infektive. Kështu kanë treguar rezultatet mikrobiologjike të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari. Autoritetet e këtij dikasteri dyshojnë se shkaku kryesor i ngordhjes masive të tyre mund të jetë prania e paraziteve.
“Nuk kemi konfirmim se lopët e ngordhura në terren kanë pasur sëmundje infektive ose kanë qenë të helmuara më herët. Të gjitha analizat në këtë drejtim kanë dalë negative. Negative janë edhe rezultatet e analizave të bëra në rrethinën ku pronari ka fermën. As në fermat pranë tij nuk është regjistruar sëmundje infektive, por vetëm është konstatuar prania e madhe e disa paraziteve te kafshët e ngordhura, gjë që në kombinim me ushqimin jocilësor dhe kushtet joadekuate, shpesh mund të rezultojë me ngordhjen e kafshëve”,- deklaroi udhëheqësi i Inspektoratit në AUV-së, Oliver Ivanovski.
SAMI IBISHI: KOMUNA E Ç. SANDEVËS TË VIJË E T’I GROPOSË LOPËT, AUV: KOMPETENCAT PËR KAFSHËT E NGORDHURA I KA KOMUNA
Sami Ibishi ende pret që të varrosë lopët e tij. 25 kafshë të ngordhura shtrihen ende përgjatë rrugës dhe era e keqe kundërmon gjithandej. Ibishi thotë se nuk mund të marrë përsipër detyrën e komunës së Çuçer Sandevës që t’i groposë vetë mbetjet e kafshëve.
“Kjo sigurisht është ndonjë sëmundje që menjëhershme, për disa ditë të ngordhin 25 lopë, tjetër shpjegim nuk kam, jam i habitur. Nga komuna e Çuçer Sandevës më thonë që t’i gropos vetë, por unë nuk kam mundësi për një gjë të tillë, pasi që, siç thashë më herët, nuk janë një e dy, por janë 25 lopë, gjë që kushton”,- u shpreh fermeri, Sami Ibishi.
Inspektorët e veterinarisë veç më kanë shqiptuar vendimin që e detyron komunën e Çuçer Sandevës të gropos me urgjencë këto kafshë për të parandaluar përhapjen eventuale të sëmundjeve në terren.
“Në bazë të Ligjit për produkte me prejardhje shtazore të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, të gjitha komunat janë të detyruara të bëjnë grumbullimin dhe largimin e kafshëve të ngordhura në komunat që i përkasin këto kafshë. Ne në këtë rast kemi detyruar komunën e Çuçer Sandevës që të bëjë të njëjtën sa më parë”,- theksoi udhëheqësi i Inspektoratit në AUV, Oliver Ivanovski.
Edhe përkundër përpjekjeve të shumta, përfaqësuesit e komunës së Çuçer Sandevës nuk u prononcuan për këtë çështje.
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari pohon se autoritetet komunale nuk kanë mjete të mjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet e makinerive për groposjen e kafshëve.
Nga ky dikaster informojnë se po bëjnë çmos për t’i ndihmuar autoritetet komunale për të gjetur një zgjidhje në mënyrë që kafshët të largohen dhe komuna të mos dënohet. (Rexhep Qamili, TVM2)
